27 Qershor, 2026

Zhvillim për kë?

 Zhvillim për kë?

Nga Abdulla Diku

Prej vitesh, sa herë që një pasuri natyrore publike i jepet në përdorim apo zhvillim biznesit privat, qytetarëve u thuhet se bëhet fjalë për “zhvillim”. Fjala përsëritet aq shpesh sa pothuajse askush nuk pyet më se çfarë do të thotë në të vërtetë.

Zhvillim për kë?

Kush përfiton?

Çfarë fiton shoqëria shqiptare nga ky proces?

Këto pyetje bëhen edhe më të rëndësishme kur bëhet fjalë për pasuritë natyrore më të vlefshme të vendit. Nga Butrinti, bregdeti e deri në Alpe,  zona të tjera me vlera të jashtëzakonshme natyrore dhe publike, janë paraqitur vazhdimisht si ‘histori suksesi’. Por nëse i analizojmë me kujdes rezultatet sot, tabloja është shumë më pak entuziaste.

Mjafton të shohësh Gjirin e Manastirit në Butrint.

Ajo që dikur ishte një peizazh natyror unik, sot është mbushur me vila private dhe rezidenca luksoze. Aty, nuk kemi të bëjmë me një qendër ekonomike që gjeneron punësim masiv (maksimumi do ketë ca ‘shërbyese’ njomëzake nga Azia). Nuk kemi të bëjmë me një industri prodhuese. Nuk kemi të bëjmë me një investim që transformon ekonominë lokale atje, fare.

Kemi veç prona private për njerëz shumë të pasur.

Në praktikë, përfitimi kryesor ekonomik për shtetin kufizohet te taksat e shitjes së vilave, lejet zhvillimore të ndertimit dhe disa të ardhura të kufizuara fiskale.

Pra, ‘zhvilluesit’ janë kthyer në fakt thjesht në agjensi imobiliare, pa sjellë asnjë efekt pozitiv dhe afatgjatë.

Madje përjashtohen dhe nga taksat për 10 vjet, dhe fitimi minimizohet…

Ndërkohë, kostot mbeten publike;

Shteti duhet të ndërtojë rrugët.

Shteti duhet të garantojë energjinë.

Shteti duhet të sigurojë furnizimin me ujë (jo veç për pirje, por shumë ujë për pishinat e vilave).

Shteti duhet të mbulojë një pjesë të mirë të infrastrukturës dhe shërbimeve, etj.

Pra, fitimet privatizohen, ndërsa kostot socializohen.

Ky model krijon një hendek edhe më të thellë.

Çfarë ndodh me qytetarin e zakonshëm?

Sepse në teori, natyra është pasuri e përbashkët. Plazhet, pyjet, peizazhet dhe zonat me vlera të jashtëzakonshme janë pjesë e trashëgimisë kombëtare.

Por në praktikë, gjithnjë e më shumë prej këtyre hapësirave po shndërrohen në territore ku qasja reale kufizohet nga çmimet, nga pronësia private apo nga zhvillimet ekskluzive.

Krijohet kështu një ndarje e heshtur.

Ai që ka miliona – mund të jetojë brenda peizazheve më të bukura të Shqipërisë.

Mund të zgjohet çdo mëngjes përballë lagunave, pyjeve dhe plazheve e gjireve më të rralla të vendit.

Ndërsa qytetari i shtresës së mesme apo i shtresës së ulët mbetet thjesht spektator.

Ai mund t’i shohë këto vende në fotografi.

Mund t’i shohë nga larg, apo vetëm në reklama turistike.

Por jo domosdoshmërisht t’i përjetojë si pasuri që i përkasin edhe atij.

Dhe këtu vijmë tek problemi i madh i modelit tonë të “zhvillimit”.

Ne nuk mund të zhvillohemi vetëm sepse ndërtohen vila apo komplekse luksoze për një grup të vogël pasanikësh. Ne mund të zhvillohemi kur pasuritë publike krijojnë mirëqenie të shpërndarë, mundësi ekonomike për komunitetet dhe përfitime afatgjata për shoqërinë.

Me këtë model zhvillimi, ne thuajse e kemi humbur shtresen e mesme të shoqërisë. Jemi polarizuar skajshëm tashmë.

Nëse rezultati i këtij ‘modeli’ të stisur është që natyra humbet karakterin e saj publik, ndërsa përfitimet përqendrohen në duart e një grupi të vogël njerëzish të pasur, atëherë kemi të drejtë të pyesim nëse po flasim për zhvillim apo thjesht për transferim të pasurisë publike drejt interesave private.

Kjo është arsyeja pse debati për Nartën, Rrjollin, Butrintin apo çdo zonë tjetër natyrore nuk është debat kundër investimeve.

Është debat për modelin e zhvillimit që po imponohet, dhe ne duhet të zgjedhim;

– Do mbajmë modelin ku natyra mbetet pasuri e të gjithëve.

– Apo një model ku natyra gradualisht kthehet në privilegj të atyre që kanë mundësi ta blejnë.

Vendi nuk zhvillohet duke ndërtuar vila për pasanikët.

Në fund të fundit, nuk ka aspak rëndësi sa vila ndërtohen.

Por sa Shqipëri mbetet për shumicën e shqiptarëve…

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *