28 Qershor, 2026

SPAK i sekuestron telefonin Samir Manes: Kontrolle në shtëpi, zyra e biznese

 SPAK i sekuestron telefonin Samir Manes: Kontrolle në shtëpi, zyra e biznese

Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontroll në vilën e biznesmenit Samir Mane, si dhe në ambientet e zyrës së tij, me vendim të GJKKO-së.

Burime të besuara bëjnë me dije se gjatë kontrollit është sekuestruar edhe telefoni celular i biznesmenit.

Kontrollet vijnë në vijim të megaoperacionit të SPAK, i cili goditi tre grupe të dyshuara kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave.

Në qendër të hetimeve janë grupet e drejtuara nga Artur Shehu, Artur alias Luciano Koceku dhe Alfredo Hamzai.

Sipas dosjes hetimore, paratë e përfituara nga trafiku i drogës dyshohet se investoheshin në sektorin e ndërtimit përmes biznesmenëve Ilir Shtufi dhe Orest Sota.

Hetimet kanë evidentuar gjithashtu investime të dyshuara në projektin Green Coast në Palasë, në pronësi të Samir Manes.

Emri i Manes përmendet në materialet hetimore të SPAK. Burimet konfirmojnë se gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje dhe materiale që mund t’i shërbejnë hetimit, ndërsa telefoni celular i biznesmenit është marrë për verifikime të mëtejshme.

Deri tani nuk ka një reagim publik nga Samir Mane lidhur me këtë zhvillim. (Infonews.al)

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *