I refuzuar në Amerikë, hero në Somali
Gjyqtari somalez, Omar Abdulkadir Artan, u kthye në atdhe të mërkurën dhe u prit si hero nga mijëra bashkëqytetarë, pasi iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë pjesë në Kupën e Botës.
Ai e cilësoi këtë situatë si fat dhe u bëri thirrje të rinjve somalezë të mos humbasin shpresën.
“Çfarë ndodhi, ndodhi. Ishte fat. Jam mirënjohës për mbështetjen që më dha FIFA.
Somalia është vendi ynë, në ditë të mira apo të vështira. Dua t’u them të rinjve tanë që të mos humbasin besimin tek vendi i tyre.
Tani jam në vendin tim dhe nuk ka asnjë vend tjetër ku do të doja të isha”, tha Artan për Reuters pas mbërritjes në Mogadishu.
Artan, i shpallur arbitri më i mirë i Afrikës në vitin 2025, ishte pranë realizimit të një momenti historik, duke u bërë somalezi i parë që do të gjykonte në turneun më prestigjioz të futbollit botëror.
Megjithatë, gjatë fundjavës ai u ndalua nga autoritetet amerikane të kufirit dhe emigracionit dhe nuk u lejua të hynte në SHBA.
Administrata e presidentit Donald Trump deklaroi të martën se hyrja e Artanit ishte refuzuar për shkak të lidhjeve të dyshuara me persona që dyshohet se kanë lidhje me organizata terroriste.
Edhe kryeministri i Somalisë, Hamza Abdi Barre, i cili u takua me Artanin, e vlerësoi atë si një figurë frymëzuese.