11 Qershor, 2026

Sheshi që po ndryshon Shqipërinë

 Sheshi që po ndryshon Shqipërinë

Nga Lutfi Dervishi

Që në zanafillë, kjo lëvizje po përballet me një presion të madh. Pyetjet “kush fshihet pas saj” apo “a do të kthehet në parti” synojnë thjesht të devijojnë vëmendjen nga arsyet e vërteta të revoltës dhe t’i zbehin asaj karakterin qytetar.

Mbi protestuesit është vendosur një lupë gjigante që kërkon qimen në vezë dhe nëse e gjen ta bëj tra: analizohet çdo fjalim, anatemohen meme/ parulla dhe gjykohet me lupë çdo detaj, duke harruar thelbin.

Njëkohësisht, po tentohet që narrativa e revoltës të ngushtohet vetëm te çështja e Zvërnecit. Njerëzit dolën në shesh për Zvërnecin, por po qëndrojnë në shesh për të gjithë arsyet e tjera. Duke pasur parasysh “hijenat” që vërtiten rrotull podiumit, është thuajse një mrekulli që folësit, në tërësi, mbeten në sinkron të plotë me masën.

Thirrjet, parullat dhe memet e këtyre ditëve artikulojnë qartë zhgënjimin me sistemin që ka funksionuar si “Ferrari” për një grusht njerëzish dhe si qerre për masën, me qeverinë; me një pushtet, të dehur nga 83 mandatet, që mendon se mund të bëjë çfarë të dojë, ku të dojë, kur të dojë si të dojë dhe sa te doje.

Është zhgënjim me median dhe përfaqësimin, është edhe revoltë ndaj banalitetit televiziv dhe mungesës së debatit real.

Për fat të keq, një pjesë e mirë e gazetarëve dhe analistëve të kujtojnë shprehjen e famshme të George Bernard Shaw: “Gazetari është ai që nuk bën dot dallimin mes shembjes së një qytetërimi dhe një aksidenti me biçikletë.”

Nga ana tjetër, qeveria ka zgjedhur pozicionin e pritjes. Me shpresën se njerëzit do të lodhen, se do të nisë Botërori apo se do të vijë vera e nxehtë, ajo ende nuk di si të merret me “flakën” që ka pushtuar bulevardin. Megjithatë, strategjia e saj po bëhet e rrezikshme. Plani për të sjellë militantë në Sheshin “Italia”, vetëm 500 metra larg protestës dhe në të njëjtën orë, është një PROVOKIM i pastër. Ndërsa shumë aktivitete janë anuluar, ideja e festimit të 35-vjetorit të PS-së duket si një ftesë dasme që zhvillohet ngjitur me një funeral.

Sa i përket Policisë së Shtetit, e cila tentoi një “provë” shpërndarjeje me pretekstin e ndeshjes me Izraelin, ajo tashmë e ka marrë mësimin e saj: është e pamundur të thyesh me forcë një masë të përbërë nga të rinj paqësorë, vajza dhe nëna me fëmijë.

Edhe në skenarin minimal: nëse nga nesër nuk del askush në shesh, nëse qeveria apo opozita nuk lëvizin nga vendi, e nuk e kane ndërmend të ndryshojnë  edhe nëse media vazhdon me të njëjtët sharlatanë një gjë është e sigurt: “Shqipëria ka ndryshuar.”

Protesta ka trazuar qeverinë, opozitën, mediat, analistët, policinë dhe vetë qytetarët. Ka rrëzuar bindjen se asgjë nuk lëviz.

Dhe ndonjëherë, para se të ndryshojë pushteti/politika, ndryshon shoqëria. Kjo mund të jetë pikërisht ajo që po ndodh sot.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *