Donald Trump: Kur i them Netanyahut të bëjë diçka, ai e bën
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu nuk ka sfiduar kërkesat e tij dhe se marrëdhënia mes tyre mbetet e fortë, pavarësisht tensioneve të fundit në Lindjen e Mesme.
Duke folur për gazetarët gjatë udhëtimit drejt finales së NBA-së në New York, Trump komentoi përplasjen e fundit mes Izraelit dhe Iranit, e para që nga armëpushimi i arritur mes Washington-it dhe Teheranit dy muaj më parë.
Sipas BBC-së, Trump tha se Netanyahu nuk e ka kundërshtuar dhe shtoi se ndikimi i tij mbi kryeministrin izraelit është i qartë.
“Kur i them Netanyahut të bëjë diçka, ai e bën”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump tha se raketat izraelite drejt Iranit ishin “tashmë rrugës” përpara se ai të zhvillonte bisedën me Netanyahun të hënën.
Më vonë, në një intervistë për Sky News, presidenti amerikan tha se nuk beson se Izraeli do t’i rikthehet luftës me Iranin.
“Nuk mendoj se do të ndodhë. Gjithçka po shkon shumë mirë. Irani po bën atë që duhet të bëjë. Nuk besoj se kjo do të ndodhë”, u shpreh ai.
Trump përsëriti gjithashtu pretendimin se Izraeli dhe Irani kanë rënë dakord të ndalin sulmet për rreth një javë.
“Ata e kanë mbyllur këtë çështje, kështu që do ta lënë të qetë njëri-tjetrin edhe për një javë apo diçka të tillë”, tha presidenti amerikan.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe zëvendës presidenti JD Vance, i cili deklaroi për Fox News se Irani nuk dëshiron vazhdimin e konfliktit dhe se po paraqet propozime serioze në tryezën e negociatave.
“Kemi krijuar hapësirën e nevojshme që presidenti beson se mund të çojë në një zgjidhje afatgjatë për çështjen bërthamore iraniane”, tha Vance.
Ndërkohë, ambasadori i Izraelit në Washington, Yechiel Leiter, hodhi poshtë raportimet për presion amerikan ndaj Netanyahut.
“Ne hymë së bashku në këtë luftë me Iranin dhe do ta përfundojmë së bashku”, deklaroi ai, duke shtuar se marrëdhënia mes Trump dhe Netanyahu-t mbetet e ngushtë pavarësisht mosmarrëveshjeve të herëpashershme.