12 Qershor, 2026

Të dhjetëmijët: Cilët janë njerëzit në shesh?!

 Të dhjetëmijët: Cilët janë njerëzit në shesh?!

Nga Gjergj Erebara

Propagandistët pranë qeverisë po punojnë ethshëm, por në mënyrë krejt të rëndomtë dhe joefikase për të krijuar portretin e protestusit. Po kush me të vërtetë po proteston dhe nxit protestë në Shqipëri?!

Forca më përfaqësuese e kombit, ku e ku më përfaqësuese se sa parlamenti, – legjitimiteti i të cilit është bjerrur, fillimisht nga marrëveshja Berisha – Rama e vitit 2008 e më pas, nga korrupsioni sistemik që cakton fituesin jo në varësi të konkurrencës në bazë të ideve, por të konkurrencës në bazë të aftësisë për të vjedhur sa më shumë nga e përbashkëta, – është trupa prej disa mijëra qytetarësh që po proteston këto ditë në shesh, në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit, në Shqipëri dhe në shumë e shumë qytete të botës ku banojnë qytetarë shqiptarë.

Ne nuk e dimë se sa janë realisht qytetarët që këto ditë kanë mbushur bulevardin Dëshmorët e Kombit, por sipas vlerësimeve të ndryshme janë diku mes 5 mijë dhe 10 mijë vetëve. Po e them për kollajllëk që janë dhjetë mijë, shifra që me gjasa është më e përafërt nëse marrim parasysh protestat nëpër qytetet e tjera të Shqipërisë dhe botës. Këta dhjetë mijë përfaqësojnë afërsisht shtatë milionë shqiptarë, përfshirë shqiptarët që jetojnë në Shqipëri dhe ata që jetojnë në Kosovë, Maqedoni e gjithkund nëpër botë. Pra kemi afërsisht një protestues për çdo shtatëqind qytetarë.

Deri më tani, propaganda e qeverisë është përpjekur të portretizojë qytetarët protestues si: Patetikë, prapanikë, të manipuluar, manipulues, antiamerikanë, antitrumpistë, ekstremistë të majtë, urrejtës të hebrenjve, urrejtës të Islamit, islamikë, antievropianë, sabotatorë, filorusë, filogrekë, filoserbë, filoiranianë, islamikë, konspirativë, gej, e të tjera.

Të marra këto të gjitha më vete, janë tërësisht të pavërteta. Të marra të gjitha bashkë, janë pjesërisht të vërteta. Por para se të merremi me këtë, mund të rendisim forcat dhe parimet shoqërore që i hapën rrugë protestës.

E para, padyshim që janë mjedisorët. Shqiptarët që duan mjedisin dhe duan ta ruajnë atë të paprekur, siç e morëm trashëgim nga paraardhësit, me dëshirën që t’ia lëmë Shqipërinë pasardhësve po aq, e me shpresë, pak më të mirë se e gjetëm. Aktivistët e mbrojtjes së mjedisit, të cilët veprojnë përmes organizatave formale dhe informale, kanë tashmë dekada që punojnë për të mbrojtur mjedisin, për të përçuar në publikun e gjerë idealin e ruajtjes së pasurive natyrore të Shqipërisë, në shërbim të Shqipërisë dhe të të gjithë botës, në shërbim të brezave të sotëm dhe të brezave të ardhshëm. Aktivistët mjedisorë ishin ata të cilët vunë re për herë të parë nisjen e punimeve në Pishë-Poro dhe në Zvërnec. Ishin të parët që dhanë alarmin. Ishin të parët që organizuan protesta, në Tiranë dhe në Zvërnec. Këta janë të njëjtët qytetarë që kanë protestuar përgjatë dekadave të fundit për të mbrojtur mjedisin.

Të dytët janë fshatarët pa tokë. Termi mund t’ju habisë disi, nëse marrim parasysh se në Shqipëri, të praktikë nuk duhet të ketë fshatarë pa tokë. Por ja që ka. Në vitin 1991, dy pjellat e Partisë së Punës, PS dhe PD, dhe disa bishta të tyre, vendosën të injorojnë të drejtat e pronësisë së para periudhës së komunizmit dhe të miratojnë ndarjen e tokës për frymë në bazë të ligjit 7501. Qytetarët anekënd Shqipërisë u përballën me këtë realitet dhe në shumicën e herës, pasi vunë re idiotësinë e klasës së intelektualëve shterpë të prodhuar nga regjimi komunist, i dhanë drejtim duke përdorur ligjin 7501 për të marrë atë që kishin pasur në posedim paraardhësit e tyre dyzet e pesë vjet më parë. Kjo zgjidhje u gjet për një pjesë të madhe të tokave, por duhet të kemi parasysh se në vitin 1945 Shqipëria kishte diku te 250 mijë hektatë tokë të punueshme në pronësi private ndërsa bonifikimet dhe  shpyllëzimet shtuan qindramijëra hektarë tokë të tjera, mbi  të cilat u zbatua ligji 7501 pa konflikt pronësie sepse nuk kishte pronar të mëparshëm. Në një minorancë pati konflikte mes pretendentëve para regjimit dhe fshatarëve me 7501. Por ndërsa shqiptari me shqiptarin, në një masë të madhe u mor vesh me njëri-tjetrin, ai nuk arriti, në shumicën dërrmuese të herës, të merrej vesh me autoritetin shtetëror. Kadastrat dhe hipotekat kanë qenë me gjasa institucionet më të korrruptuara në Shqipërinë e tranzicionit dhe vijojnë të jenë të tilla.

Korrupsioni, i cili shpesh kërkon shifra krejtësisht të palogjikshme edhe për tokën me vlerë më të ulët se sa shuma e parave të kërkuara për korrupsion, e la shumicën dërrmuese të tokës bujqësore të paregjistruar. Kjo krijoi klasën e fshatarit pa tokë. Nëse fshatari pa tokë nuk të është ngritur në kryengritje, kjo ka ndodhur për shkak se ka emigruar. Dhe kjo është çfarë ndodhi në fshatin Zvërnec, ku mosregjistrimi i titujve të pronësisë të shpërndarë me ligjin 7501, u kombinua me korrupsionin kriminal të gjykatave. Qytetarët e Zvërnecit u rebeluan për shkak se korrupsioni i ka nxjerrë në statusin e fshatarëve pa tokë. Fshatarët pa tokë i ke sot në protestë. Janë banorët e Rrjollit, të cilët papritur e gjetën veten pa tokë pasi dikush tjetër doli pronar. Absurditeti i parcelave kaq të mëdha të pronësisë, (me qindra hektarë në rastin e Pishë-Poros dhe Nartës, mund të vërehet nga ky informacion historik: Të shtatë familjet bejlere shqiptare të paraluftës kishin sëbashku 14 mijë hektarë tokë në pronësi. Ka pasur një numër jashtëzakonisht të kufizuar pronash të mëdha deri në 100 hektarë. Kështu që qartazi, titujt e pronësisë me sipërfaqe qindra hektarë janë me shumë gjasa, të fituara përmes korrupsionit dhe falsifikimit. Këto mund t’i vërejë gjithkush, por nuk i vëren Edi Rama, i cili bën të paditurin).

Fshatarët, jo tamam pa tokë, por fshatarët pa ujë, janë një prej grupeve më aktive të protestave të këtyre ditëve. Janë shqiptarët e Dukatit dhe Tragjasit dhe Orikumit. Ata u rrahën, nëse mbani mend, nga policia e Sali Berishës në vitin 2011 për krimin që bënë kur pretenduan pronësinë e tokave atje ku sot janë ndërtuar dhjetëra pallate ndërsa së fundmi, ndërsa shteti partiak i sotëm nuk ka marrë mundimin t’u dërgojë ujë të pijshëm e kanalizime në shtëpi, ka vajtur t’u marrë ujin e burimit për t’ia dërguar vilave të oligarkisë në Palasë. Janë këta djem të cilët, së fundmi, u ndjenë të fyer nga akuza krejtësisht e pabazë e Edi Ramës dhe propagandistëve të tij për “komplot grek” kundër Shqipërisë.

Klasa e tretë e qytetarëve në shesh janë, jo tamam fshatarë pa tokë, por mund t’i quajmë “qytetarë pa tokë”. Qytetarët e Durrësit, të cilët kanë jetuar në shtëpitë e tyre të ndërtuara qindra vjet më parë, kanë zbuluar papritur se qeveria ka vendosur t’i nxjerrë të pastrehë. Ata janë thjeshtë viktimat e radhës të një serie të gjatë sjelljesh kriminale nga ana e qeverive të dekadave të fundit, të cilat, e kanë parë me shumë bezdi që, nga taksat tona, të paguajnë, personat që humbasin pronën për arsye të infrastrukturës publike, një shumë parash që, logjikisht, njerëzisht e ligjërisht, duhet t’u zëvendësojë saktësisht atë që u merret.

Me një fjalë, nëse i merr qytetarit një metër tokë, duhet t’i japësh paratë që nevojiten për të blerë një metër tokë me të njëjtën vlerë fizike. E po i more një metër katror shtëpi, duhet t’i japësh një metër katror shtëpi. Kjo nuk është ajo që Edi Rama bën dhe nuk është ajo që Sali Berisha bënte. I ndjeri Ardian Klosi, një aktivist i jashtëzakonshëm në mbrojtje të mjedisit, bëri një shkrim diku nga fillimi i viteve 2010 ku tregoi se si, gjatë ndërtimit të Unazës së Tiranës në anën jugore të saj, qeveria shpronësoi me çmime shumë poshtë tregut shtëpitë dhe tokat. Kur ndonjë qytetar i falimentuar nga fati i keq, protestoi duke kërkuar kompensim të drejtë, ai mori për kompensim shkopin e gomës dhe dhunën brutale të forcave speciale të policisë.

Aktivistët romë dhe egjiptianë janë këto ditë në shesh. Në Tiranë dhe në Elbasan. Këta janë aktivistët që përgjatë dekadës së fundit janë përpjekur të mbrojnë të drejtat e qytetarëve që në fakt nuk konsiderohen qytetarë, janë nonpersona. Shtëpitë e tyre, sipas qeverive, nuk janë shtëpi, janë kasolle. Dhe si të tilla, nuk fitojnë as legalizim dhe as kompensim. Për të kuptuar se si qeveria i ka trajtuar këta qytetarë protestues, mund t’ju rikujtoj një episod nga një debat televiziv, kur aktivistët patën kërkuar të drejta pronësie për kasollet e romëve, një zyrtar socialist iu përgjigj: ti nuk je rom! Ti je jevg! Ndërkombëtarët të kanë mbushur mendjen kot se je rom!

Deklarata tregon njëkohësisht një shkallë tronditëse injorance dhe mënyrën se si pushteti trajton qytetarët. Në rastin e romëve dhe egjiptianëve, haptazi. Në rastin e të tjerëve, fshehurazi.

Operatorët turistikë (kryesisht udhërrëfyes të turizmit të aventurës) janë grupi i aktivistëve më të artikuluar të protestës. Ka shumë prej tyre të cilët, pasi kanë arritur të fitojnë pavarësinë në jetë përmes punës, (dhe besoj se është punë raskapitëse të bësh mijëra kilometra çdo vit në këmbë apo me makinë për të shëtitur turistët anekënd Shqipërisë), kanë lënë punët e veta për të organizuar protestën.

Gazetarët! Në Shqipëri ka me të drejtë shumë ankesa ndaj medias, por nëse vëreni se sa është numri i gazetarëve, (nga absolutisht të gjitha mediat), të cilët janë duke punuar ethshëm çdo ditë, haptazi ose në prapavijë, për organizimin e protestave, do të fillonit të duartrokisni pa mbarim.

Botuesit alternativë! Botuesit, redaktorët, përkthyesit, shkrimtarët dhe librarët, të cilët, për shkak të masivizimit të injorancës gjatë dekadave janë në pozicione të mbivendosura për shkak të parave të pakta që mund të bëhen në tregun e librit. Mund të takosh një qytetar apo një qytetare që në punën e tij apo saj të përditshme shkruan, përkthen, redakton, boton apo shet libra, me apo pa pankartë, në shesh duke protestuar.

Besimtarët myslimanë dhe ata të krishterë! Të thuash që dikush është besimtar, është diçka absurde. Besimi është çështje personale, një marrëdhënie mes njeriut dhe Zotit që mbetet mes tyre. Ne nuk mundemi ta dimë nëse dikush është apo jo besimtar, i këtij apo atij besimi. Dhe është krejtësisht e pakuptimtë që të mendojmë se mundemi edhe t’i gjykojmë, siç bëri Edi Rama, kur i përshkroi disa si “pa din e imam”. Një imam është në shesh dhe shumë të tjerë, të cilët i njoh si besimtarë, myslimanë apo të krishterë, janë gjithashtu duke protestuar. Ata që njoh mes myslimanëve i kam njohur në protestat për Palestinën. Në këto protesta është ditur të dallohet mes të qenit pro Palestinës dhe të qenit antisemit. Antisemitizmi është dënuar nga këta myslimanë që njoh.

Feministët! Një nga grupet më të mrekullueshme që po proteston këto ditë në shesh është i njëjti grup që proteston çdo vit në 9 mars për barazi gjinore. Aktivistët u shënjestruan nga propagandistët e qeverisë si “komplot gejësh kundër kombit”, një element tjetër i shëmtuar i politikës që nuk ngurron të nxisë gjithëfarëlloj urrejtjesh, nga urrejtja nacionaliste te homofobia, me shpresë se qytetarët do të refuzojnë të dalin në protestë.

Aktivistët LGBTQ+. Janë në protestë aktivistët për të drejtat e njeriut, pavarësisht nëse janë apo jo gej, lezbike, biseksuale, transeksuale, queer apo tjetër. Këta janë nga aktivistët më të mirë të shoqërisë shqiptare. Ju mund të mos i vini re sepse nuk e kanë të shkruar në ballë, por shumë marrin pjesë në shumë protesta, mjedisore apo të tjera. Politika më e ndyrë e mundshme është ajo që qeveria po përpiqet të bëjë aktualisht. Të nxisë debate homofobike me shpresë se njerëzit do të harrojnë protestën dhe do të merren me sherre të parëndësishme.

Të majtët! Ka shumë mes protestuesve që bien në kategorinë e qytetarëve me bindje të majta. Ndërsa Edi Rama deklaron veten “i majtë i çuditshëm!” gjë që në fakt do të thotë se është i majtë në emër dhe hajdutokrat në praktikë, këta në shesh janë të majtët e vërtetë. Këta janë që besojnë se njerëzit duhet të jenë të barabartë, jo vetëm në të drejta, por edhe në të ardhura. Nuk janë komunistë, nuk synojnë të marrin pushtetin me dhunë, janë socialdemokratë që po punojnë për një Shqipëri më të mirë.

Natyrisht që në shesh ka demokratë. Mbështetës apo ish-mbështetës të Partisë Demokratikë që vërejnë se partia e Berishës nuk është demokratike. Ka edhe socialistë ose ish-socialistë, të cilët vërejnë se partia e Ramës nuk është  as socialiste dhe as demokratike.

Natyrisht që në një trupë kaq të madhe njerëzish ka antisemitë, ka disa shfaqje shumë të shëmtuara të neonazizmit, ka protoshovinistë.

Në fakt, akuzat krejtësisht të pabaza dhe fyese të hedhura nga Edi Rama për komplot grek ndaj Shqipërisë ka shtyrë një numër prej protestuesve të vënë në dukje patriotizmin e tyre, për shembull, duke dalë me pankarta për Çamërinë. Por në vend që të vëresh shfaqjen e nacionalizmit në protestën antikorrupsion, duhet të dallosh origjinën e kësaj, fyerjen e padrejtë të shqiptarëve të mirë si agjentë grekë.

Në shesh  janë shqiptarët. Kjo është trupa politike më përfaqësuese e vendit. Asnjë prej të dhjetëmijët nuk fiton asgjë personalisht. Shumica presin të paguajnë kosto personalisht dhe materialisht nëse Revolucioni i Flamengove dështon. Shumica ka luftuar frikën për përjashtim ekonomik nga shoqëria që regjimi ka instaluar në sistem. Disa e kanë luftuar duke krijuar ekonomi shumë të vogla private. Si agjenci udhëtimi, si guida, si ekspertë të teknologjisë së informacionit, si aktivistë të organizatave të shoqërisë civile, si mësues apo drejtues nëpër qendra kursesh për arte apo gjuhë të huaj, si pronarë biznesesh të vogla. Shumë janë duke luftuar duke rrezikuar vendin e punës. Të gjithë kanë nevojë për mbështetjen e të gjithëve.

P.s. I kërkoj ndjesë çdo grupimi, pjesëmarrjen e së cilit në protestë nuk e kam vënë re deri tani.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *