6 Qershor, 2026

Shtohen telashet për Belën: SPAK sekuestron vilën e Ballukut në Dhërmi, e fshehu në emër të Igli Tares

 Shtohen telashet për Belën: SPAK sekuestron vilën e Ballukut në Dhërmi, e fshehu në emër të Igli Tares

Prokuroria e Posaçme, SPAK njoftoi të enjten më 4 qershor se ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku dyshohet se ka kryer korrupsion pasiv e pastrim parash, përveç veprave penale të shkeljes së barazisë në tendera për të cilat është marrë e pandehur në tetor të vitit të kaluar. Po ashtu, është sekuestruar një vilë luksoze në Dhërmi, që dyshohet se është përfituar si ryshfet prej saj, në këmbim të favoreve që i janë bërë shoqërisë ndërtuese “Eurocol” sh.p.k., në procedurën e një tenderi dhe gjatë zbatimit të kontratës. Për zotërimin e vilës janë kryer veprime fiktive, në të cilat është përfshirë Igli Tare, ish-futbollisti i famshëm i Kombëtares Shqiptare dhe ish-drejtor i Lazios e Milanit në Itali.

Më 3 qershor, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka pranuar kërkesën e SPAK për sekuestrimin e vilës dykatëshe në resortin turistik “White Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, pasuri që rezulton në pronësi indirekte të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. “Ekzistojnë dyshime se pasuria e sekuestruar lidhet me përfitimin e parregullt, të kërkuar dhe marrë nga shtetasja Belinda Balluku, në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik, përmes një procedure prokurimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e veprimeve juridike të dyshuara si fiktive, me qëllim fshehjen e origjinës dhe pronësisë reale të pasurisë”, citohet në njoftim.

Po ashtu, sqarohet se pasuria e sekuestruar është një vilë individuale dykatëshe tip Begonia me nr. F6 dhe e rrethuar. Parcela në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m², ndërkohë që kati i parë i objektit ndërtimor ka sipërfaqe prej 103 m², nga të cilat 54 m² kati përdhe, ai sipër 49 m² dhe veranda 34 m². Brenda rrethimit ndodhet edhe vendparkimi.

Sipas SPAK, Balluku ka kryer veprime të kundërligjshme në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit 88.6 milionë lekë, si dhe në tenderin “Shtesë kontrate për ‘Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve’”, me vlerë 14.1 milionë lekë, pa TVSH.

Nga hetimet ka rezultuar se e pandehura Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Albcontrol” sh.a., në bashkëpunim me shtetasin Evis Berberi që atëherë ka pasur detyrën e shefit të Sektorit të Prokurimeve, si dhe anëtarët e njësisë së prokurimit, shtetasit S.P., E.N. dhe A.M., përmes veprimeve të kundërligjshme kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe e privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit, operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k., e zotëruar nga biznesmeni Pandeli Carapuli.

Po ashtu, favorizimi i kësaj shoqërie që është shpallur fituese, ka vazhduar edhe në momentin e lidhjes së kontratës, duke i ofruar parapagim të menjëhershëm gjysmën e vlerës së kontratës, si dhe gjatë zbatimit të kontratës dhe shtesës së saj.

“Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a., në këmbim të favorizimit të shoqërisë ‘Eurocol’ sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik ‘White Rocks’, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë ‘Eurocol’ sh.p.k.”, bën me dije SPAK.

Përfitimi i parregullt ka rezultuar se është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të tenderit, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “Eurocol” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me lejen zhvillimore për ndërtimin e resortit turistik në fshatin Gjilekë.

Përveç përfitimit të parregullt, Balluku akuzohet se e ka fshehur këtë pasuri duke përdorur shtetasin Igli Tare dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B. Sipas prokurorisë, kontrata e porosisë është kryer në mënyrë fiktive mes të hetuarit Igli Tare dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol”. Balluku akuzohet se ka kryer fiktivisht edhe një kontratë qiraje dore mes saj, vartëses dhe Tares, në maj të vitit 2022, si dhe amendamentin e kësaj kontrate në prill të vitit 2024.

Igli Tare u mor në pyetje në SPAK prej mëngjesit të së enjtes, kur prej rreth orës 10:00 dhe deri në orën 14:40 ai ka qenë edhe nën shoqërinë e avokatit të tij, për shkak të komunikimit të regjistrimit të emrit si person nën hetim, për pastrim të produkteve të veprës penale.

Balluku është nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera lidhur me procedurën e prokurimit për ndërtimin e tunelit të Llogarasë në seksionin rrugor Orikum-Himarë dhe në shtatë raste të procedurave të prokurimit të ndërtimit të Unazës së Jashtme të Tiranës.

Mazhoranca socialiste në Kuvend e rrëzoi në muajin mars një kërkesë të SPAK për lejimin e arrestimit të saj.

NJOFTIMI I PLOTË I SPAK

Procedimi penal nr.136/2025 –  Sekuestro preventive mbi një pasuri të dyshuar si produkt i korrupsionit

Prokuroria e Posaçme ka vijuar hetimet ndaj shtetases Belinda Balluku, e cila aktualisht është marrë e pandehur për veprën penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”*, në bashkëpunim dhe pas kryerjes së veprimeve të mëtejshme hetimore dyshohet gjithashtu për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim.

Në vijim të hetimeve të zhvilluara në kuadër të procedimit penal nr. 136/2025, pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr.412, datë 3.6.2026, ka vendosur masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi  pasurinë e paluajtshme, në pronësinë indirekte të shtetases Belinda Balluku, që ndodhet në resortin turistik “ëhite Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë.

Sipas rezultateve të deritanishme të hetimit, ekzistojnë dyshime se pasuria e sekuestruar lidhet me përfitimin e parregullt, të kërkuar dhe marrë nga shtetasja Belinda Balluku, në këmbim të favorizimit të operatorit ekonomik, përmes një procedure prokurorimi publik të zhvilluar nga Albcontrol sh.a. Hetimet kanë evidentuar gjithashtu përdorimin e veprimeve juridike të dyshuara si fiktive, me qëllim fshehjen e origjinës dhe pronësisë reale të pasurisë.

Pasuria e vendosur nën “sekuestro preventive” përbëhet nga një “Vilë individuale dy katëshe tip Begonia me Nr.F6, parcela e rrethuar në dispozicion të vilës është jo më pak se 300 m2. Vila F6, brenda kësaj parcele, ka një sipërfaqe prej 103m2 (kati përdhe 54 m2 dhe kati i parë mbi përdhe 49 m2). Vila F6 ka edhe verandën 34m2. Vendparkimi ndodhet brenda sipërfaqes së parcelës. [Referuar kontratës së porosisë me nr.1059 rep, nr.650 kol, datë 05.12.2018]

Nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ndjekja e hetimeve me metoda speciale, grumbullimi i provave dixhitale dhe provave të tjera të administruara deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, rezultojnë të dhëna për fakte penale të reja në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 287 paragrafi 1, shkronja “b” e Kodit Penal, në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287, paragrafi 2, të Kodit Penal.

Nga aktet e administruara kanë rezultuar të dhëna për veprime të kundërligjshme të shtetases Belinda Balluku në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt: “Rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve”, me fond limit 88,651,633 (tetëdhjetë e tetë milion e gjashtëqind e pesëdhjetë e një mijë e gjashtëqind e tridhjetë e tre) lekë, si dhe “Shtesë kontrate për ‘Rikonstruksionin e godinës teknologjike të Albcontrol për përmirësimin e kushteve’”, me vlerë 14,161,814 (katërmbëdhjetë milion e njëqind e gjashtëdhjetë e një mijë e tetëqind e katërmbëdhjetë) lekë pa TVSH.

Në lidhje me procedurën e sipërcituar, rezulton se shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e titullares së autoritetit kontraktor “Albcontrol” sh.a, me detyrën e Drejtoreshës së Përgjithshme të “Albcontrol” sh.a, në bashkëpunim me shtetasin Evis Berberi, me detyrën e Shefit të Sektorit të Prokurimeve, si dhe anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit S.P., E.N. dhe A.M., kanë kryer veprime të kundërligjshme në kundërshtim me ligjin nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, si dhe VKM nr. 1, datë 10.1.2007 “Për rregullat e prokurimit publik” (i ndryshuar).

Këto veprime lidhen me fazën e përgatitjes së projektit dhe zhvillimit të procedurës, në përcaktimin e kritereve dhe miratimin e dokumenteve të tenderit, duke paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të procedurës së prokurimit, operatorin ekonomik “Eurocol” sh.p.k.

Favorizimi i shoqërisë fituese ka vazhduar edhe në momentin e lidhjes së kontratës, duke i ofruar parapagim të menjëhershëm në vlerën 50% të kontratës, si dhe gjatë zbatimit të kontratës dhe shtesës së saj.

Nga hetimi rezulton se shtetasja Belinda Balluku, për shkak të funksionit të saj publik si Drejtore e Përgjithshme e Albcontrol sh.a, në këmbim të favorizimit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k. në procedurën e sipërcituar, ka kërkuar dhe marrë përfitim të parregullt, i cili, referuar kontratës së porosisë, është në vlerën 145,000 (njëqind e dyzet e pesë mijë) euro, që konsiston në pasuri të paluajtshme, konkretisht vilën me nr. F6, në resortin turistik “ëhite Rocks”, Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë, me zhvillues shoqërinë “Eurocol” sh.p.k.

Përfitimi i parregullt është kërkuar gjatë kohës së zhvillimit të kësaj procedure prokurimi, ku rezulton se në atë kohë shoqëria “Eurocol” sh.p.k. kishte aplikuar dhe ishte pajisur me Lejen Zhvillimore Komplekse nr. 2385/1 prot., datë 27.3.2015, të miratuar me Vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit nr. 7, datë 7.3.2014, “Për miratimin e lejes zhvillimore komplekse për resortin turistik në fshatin Gjilekë, Dhërmi, Bashkia Himarë, Qarku Vlorë”.

Për të fshehur këtë pasuri si produkt të veprës penale, shtetasja Belinda Balluku ka përdorur shtetasin I.T dhe vartësen e saj në Albcontrol sh.a., shtetasen J.B.

Kështu, rezulton se shtetasja Belinda Balluku ka kryer veprimin fiktiv të kontratës së porosisë nr. 1059 rep., nr. 650 kol., datë 5.12.2018, të lidhur mes shtetasit I.T dhe pronarit të shoqërisë “Eurocol” sh.p.k., shtetasit P.C.

Veprimet e kundërligjshme në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale kanë vijuar nga shtetasit Belinda Balluku, I.T dhe J.B, duke kryer veprimin tjetër fiktiv, atë të kontratës së qirasë (kontratë dore), datë 25.5.2022, dhe amendamentin e kësaj kontrate, datë 26.4.2024.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të fakteve, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, si edhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse penale.

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shënim për gazetarët* 

Shtetasja Belinda Balluku akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 e 25 të Kodit Penal, në procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë);

Shtetasja Belinda Balluku është e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258/2 e 25 të Kodit Penal, në shtatë raste të procedurave të prokurimit të ndërtimit të Unazës së Jashtme të Tiranës;

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *