Turqia e kthen Ankaranë në një fortesë për samitin e NATO-s
None
Turqia po përgatitet për një nga operacionet më të mëdha të sigurisë në historinë e saj moderne, ndërsa Ankaraja do të presë samitin e NATO-s më 7 dhe 8 korrik.
Sipas Bloomberg, që citon burime të njohura me përgatitjet, autoritetet turke po e shndërrojnë kryeqytetin në një “fortesë sigurie”, duke aktivizuar sisteme të mbrojtjes ajrore, duke vendosur në gatishmëri flotën e avionëve F-16 dhe duke dislokuar mijëra forca sigurie.
Më shumë se 40 mijë efektivë pritet të angazhohen në Ankara gjatë zhvillimit të samitit, ndërsa në qytet do të vendosen sisteme dronësh dhe kundërdronësh për të garantuar sigurinë e delegacioneve.
Për herë të parë, Turqia pritet të përdorë edhe elementë të sistemit shumë-shtresor të mbrojtjes ajrore “Steel Dome”, i prezantuar së fundmi gjatë stërvitjes ushtarake EFES-2026.
Masat e sigurisë shtrihen përtej mbikëqyrjes tradicionale. Sipas raportimit, gjatë 80 ditëve të fundit Turqia ka investuar më shumë se 230 milionë dollarë për modernizimin e një piste ushtarake në Ankara, e cila do të përdoret nga krerët e shteteve që do të marrin pjesë në samit.
Objekti ndodhet më pranë vendit ku do të zhvillohet samiti sesa aeroporti kryesor i kryeqytetit, duke reduktuar kohën e lëvizjes së delegacioneve dhe ekspozimin ndaj rreziqeve të sigurisë.
Autoritetet planifikojnë gjithashtu kufizime për fluturimet ndërkombëtare në Aeroportin Esenboğa, ndërsa pritet të ndalohet organizimi i protestave në Ankara nga 1 deri më 15 korrik.
Një pjesë e masave përfshin koordinimin me agjenci të huaja të sigurisë për identifikimin e personave me histori pjesëmarrjeje në protesta ndërkombëtare.
Po ashtu, qeveria turke pritet të shpallë disa ditë pushim administrativ për të ulur trafikun në kryeqytet, ndërsa dyqanet e armëve do të ndalohen të ekspozojnë armë gjatë periudhës së samitit.
Rreth 100 kamera të reja sigurie do të instalohen në pika strategjike të qytetit, duke iu shtuar mbi 30 mijë kamerave që operojnë tashmë në Ankara.
Sipas Bloomberg, rreth 6 mijë pjesëmarrës do të jenë të pranishëm në samit, përfshirë përfaqësues të vendeve anëtare të NATO-s, Ukrainës, katër partnerëve të Indo-Paqësorit dhe katër vendeve të Gjirit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të marrë pjesë personalisht në samit.
Rubio e cilësoi takimin si “ndoshta mbledhjen më të rëndësishme në historinë e NATO-s”, duke argumentuar se Aleanca ka nevojë për ndryshime të rëndësishme në mënyrën e funksionimit të saj.