Edi, thirri mendjes!
Kur një pushtet fillon e lëkundet, instinkti i parë është gjetja e një armiku të jashtëm. Këtë herë, skenari është i trashë. Protestuesit që u ngritën nga Zvërneci në Tiranë qenkan “vegla të Greqisë”! Lojërat e vjetra që na kujtojnë Saliun nuk i gëlltit më askush, pavarësisht sa tellallë do paguash për t’i shpërndarë.
Edi, thirri mendjes!
Shqipëria nuk është çifligu yt personal, as pronë private e atyre që të rrinë rrotull. Ti mund të kesh miq miliarderë në Katar, mund të bësh plane e marrëveshje nëpër darka private me dhëndurët e presidentëve për të blerë mbrojtje politike në Uashington, por ti nuk je as emiri dhe as sulltani i Shqipërisë.
Në demokraci, peizazhet natyrore, zonat e mbrojtura dhe pasuritë kombëtare nuk mund të transformohen pa përfshirë komunitetin.
Dhe nuk mund të ketë “denkverbot” një ndalim të komanduar të mendimit dhe kritikës, sepse ashtu të pëlqen ty, ku çdo zë kundërshtues i pelivanllëqeve të tua anatemohet si anti-zhvillim apo edhe antishqiptar (!)
Pse nuk mbahen dëgjime e diskutime publike? Pse nuk lihet kohë të shprehen specialistët? Pse drejt e te telat me gjemba dhe te dhuna e banditëve privatë?
Edi, thirri mendjes, sepse me mendjelehtësinë tënde të frikshme ke kriminalizuar rëndë dhe në mënyrë të pariparueshme shoqërinë shqiptare. Duke u hapur dyert e ekonomisë banditëve, parasë së pistë dhe duke legjitimuar botën e krimit si “investitorë”, ti ke fshirë vijën ndarëse mes shtetit dhe rrugës.
Sot, nën modelin tënd, zyrtarë të policisë marrin pjesë në rrëmbime për të mbrojtur tenderat e kurdisur të oborrtarëve të tu, ndërsa eksponentë të krimit lëvizin me shoqërues policë dhe vriten bashkë nëpër prita. Ke krijuar një realitet ku suksesi matet me sasinë e kokainës apo të betonit, duke u dhënë fëmijëve tanë mesazhin se puna, arsimi dhe ndershmëria janë vlerat e të humburve.
Kjo bashkëjetesë perverse mes shtetit dhe botës së errët nuk po shkatërron thjesht institucionet, po kalb moralisht më tej indin e këtij kombi.
Ky model që ti po mbron me dhunë nuk është zhvillimor, por haptazi grabitqar! Është si droga për organizmin njerëzor: jep një fitim të shpejtë e joshës për kapitalin e pastruar, por në afatgjatë e lë vendin në kriza të njëpasnjëshme.
Ti po refuzon me vetëdije modele të suksesshme të zhvillimit të bregdetit. Në vend të tij, ti po na rreshton krah modeleve të korruptuara, ku turizmi është një sektor i dominuar nga kriminaliteti dhe një dritare e hapur për ekonominë e errët.
Ti po dëbon vendasit dhe po e kthen Shqipërinë në një “ishull Karaibesh” për kompani guackë të fshehura në Holandë, të menaxhuara nga kush realisht? Çfarë duan të fshehin këta investitorë që vijnë të maskuar si fletët e qepës? Po të ishte çështja për zhvillimin e vendit, do të vinin ballëhapur.
Për ironi, ndërsa ti shet perlat tona kombëtare te privatë anonimë, vetë fshati i Zvërnecit është i braktisur dhe nuk ka ujë të pijshëm prej vitesh. Banorët shqiptarë që kanë dekada në emigrim nuk kthehen dot më sepse u lëndohet zemra kur shohin se si u grabitet vendlindja.
Thirri mendjes se vala e protestave masive në bulevardin e Tiranës dëshmon se diçka ka ndryshuar në vetëdijen qytetare. Emigrantët që tentove t’i trembje në Athinë morën rrugën, sfiduan frikën dhe iu bashkuan qëndresës.
Ti e sheh veten si të veçantë, por historia e këtij vendi është plot me personazhe që kujtuan se Shqipëria fillonte dhe mbaronte te pragu i zyrës së tyre. Të gjithë kanë rënë në të njëjtën kurth, kanë ngatërruar heshtjen me dorëzimin. Në fund, sulltanët e kartonit zgjohen gjithmonë pa fron.