26 Qershor, 2026

Pse nuk e shohin të tjerët që po integrohemi në BE!

 Pse nuk e shohin të tjerët që po integrohemi në BE!

Nga Artan Fuga

Ajo që më çudit është se çështja e integrimit evropian, ndërsa në Shqipëri është në qendër të vëmendjes së propagandës, medias, debateve politike, rrenave, të vërtetave, kotbërjes, plotbërjes, hapjes dhe mbylljes së kapitujve si lojë yçi, në vendet e Bashkimit Evropian as përmendet.

Asnjë debat politik për këtë çështje, media as e përmend, në parlamentet e tyre as ciket, publiku as e ka në axhendë.

Pse?

Se nuk është çështje periferike as për Evropën, çështja e zgjerimit!

Mirë kjo, por as në vendet ballkanike, edhe pak më gjerë, në vendet që janë pranë nesh, por anëtare të BE, asnjeri përsëri nuk e ka venë ujin në zjarr. Pse? Duhet thënë se edhe pêr Ballkanin kjo ka rëndësi sepse prish ekulibrin e sotëm.

Si shpjegohet pra që te ne thuhet se është çështje muajsh, hajde një vitit, kurse ne vendet evropiane dhe në vendet fqinje askush nuk i bie në mendje ndonëse është çështje e rëndësishme?

Duhen parë disa mundësi për të arsyetuar që do të sqarohen gradualisht:

1.Janë xhelozë, iu vjen inat që Shqipëria troket te dera dhe dritaret e BE

2.Janë miopë, nuk shohin se një anëtar i ri i familjes evropiane po vjen nga dera, dritarja a oxhaku.

3.Ja kanë lënë këtë çështje Komisioni të BE kurse shtetet anëtare, aktorët sociopolitikë nacionalë nuk kanë as kohë as nerva të merren me këtë çështje.

4.Nuk duan të shqetësojnë opinionin publik të çdo vendi anëtar sepse duke qenë se ai përgjithësisht nuk e do zgjerimin, çdo përmendje e litarit te shtëpia e të varurit do ta acaronte dhe do t’iu hapte probleme politikanëve vendas. Sepse në Evropë nuk e tërheqin privatët zvarrë si në zvërnec qytetarin, as me të vërtetë as për show të djallëzuar.

5.Mendojnë se këtë çështje ta trajtojnë vetëm javët e fundit për të bërë një operacion të shpejtë, tak fak, dhe për të mos i dhënë llogari qytetarëve. Si dëgjesat publike që behen te ne, ku mbledh tjetri pesë shokë, dy servila, tre budallenj, dhe thotë ja e bëra dëgjesën. Por, e pamundur kjo në vendet e BE.

6.Këto hapjet dhe mbylljet janë procedura rutinë, por a do të pranohet apo jo Shqipëria ku bën pjesë edhe zvërneci, është akoma herët, dhe askush nuk e ka në defter. Jemi ne që me imagjinatë kujtojmë se edhe të tjerët nuk kanë punë tjetër veçse të na marrin neve seriozisht. Si ndodh me ndonjë një që pëlqen një vajzë dhe imagjinon dasmën, ndërkohë kur kjo as e njeh atë që vuan për të.

7.Fakti që të tjerët nuk e kanë as në axhendën e mediave, as në jetën politike, as në debate parlamentare, as nuk e trajtojnë edhe në takime dypalëshe, është tregues që çështja është krejt e stisur, nisi si propagandë zgjedhore vitin e kaluar, dhe jo vetëm nga shumica, por edhe nga opozita konsiderohet me vetësugjestionim se çështje është vërtet në rend të ditës.

8.Se ne rrahim kot ujë në havan brenda vendit, ndërkohë nuk kemi asnjë fuqi ta transportojmë çështjen tonë në hapësirat publike të vendeve të Bashkimit Evropian, meqë edhe diplomacia jonë fle gjumë. S’ka asnjë akses në mediat e huaja!

9.Se shtetet anëtare në politikën e brendshme dhe Bashkimi Evropian në veprimtarinë rutinë të përditshme të nëpunësve të vet kanë dy axhenda të ndryshme që jo medoemos përputhen me njëra tjetrën. Nëpunësit e marrin procesin burokratik si ecuri reale drejt integrimit evropian ndërkohë që meseleja ende nuk ka filluar.

Ta shohim, ta shohim!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *