Masakra në Sarandë, pse duhet të jape dorëheqjen Bledi Çuçi
Genc Llakaj
Ngjarjet e fundit në Sarandë, të lidhura me ndërtimet pa leje në vijën bregdetare, nuk përbëjnë më vetëm një çështje penale apo administrative. Operacioni i Prokurorisë dhe strukturave ligjzbatuese (AMP dhe strukturat e tjera) ka prodhuar një goditje të paprecedentë në nivel lokal: 12 masa sigurie ndaj efektivëve të policisë, zyrtarëve të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit dhe biznesmenëve, arrestime, pezullime nga detyra, masa “arrest në shtëpi” dhe sekuestrime objektesh të dyshuara të ndërtuara në kundërshtim me ligjin. Vetë fakti që u prekën struktura kyçe të rendit dhe të kontrollit territorial e shndërron këtë çështje në një krizë të qartë të administrimit shtetëror-lokal.
Në thelb të hetimeve qëndrojnë dyshime për shpërdorim detyre, mosmarrje masash për ndërprerjen e paligjshmërisë dhe lejim të aktiviteteve të ndërtimit pa leje në një nga zonat më sensitive turistike të vendit. Këto nuk janë shkelje periferike apo individuale. Ato prekin funksionimin e vetë shtetit në territor dhe mënyrën se si institucionet kanë operuar përballë një fenomeni që, sipas hetimeve, ka qenë i dukshëm dhe i njohur publikisht.
Megjithatë, unë do të merrem me anën politike të ngjarjes. Analiza politike e kësaj ngjarjeje nuk mund të ndalet vetëm tek përgjegjësia individuale e disa funksionarëve lokalë. Jo! Struktura drejtuese e policisë dhe institucioneve territoriale nuk funksionon jashtë ndikimit politik. Asnjëherë! Emërimet në poste kyçe të administratës lokale kalojnë përmes filtrave politikë dhe institucionalë. Për këtë arsye, kur vihet nën hetim një pjesë e kupolës lokale të rendit dhe kontrollit territorial, lind natyrshëm edhe çështja e përgjegjësisë politike të atyre që administrojnë qarkun politikisht.
Në këtë kuadër, emri i Bledi Çuçit hyn në mënyrë të pashmangshme në debatin publik. Si drejtues politik i qarkut Vlorë, ai mban përgjegjësi për klimën administrative dhe institucionale në territorin që mbulon politikisht. Kjo nuk nënkupton përgjegjësi penale dhe as paragjykim juridik, por një përgjegjësi morale dhe institucionale që buron nga vetë natyra e funksionit politik të tij.
Megjithatë, është e rëndësishme të theksoj se ky qëndrim nuk buron nga asnjë raport personal me zotin Bledi Çuçi. Përkundrazi, kam respekt të posaçëm për të si figurë politike dhe institucionale. Por në një shtet demokratik, debati publik dhe përgjegjësia politike duhet të qëndrojnë mbi raportet personale apo respektin individual.
Pikërisht këtu shfaqet edhe diferenca mes kulturës politike shqiptare dhe standardeve europiane të përgjegjësisë publike. Në vende si Suedia, Norvegjia apo Danimarka, drejtues politikë kanë dhënë dorëheqje për shkelje minimale morale apo administrative, jo sepse ishin domosdoshmërisht fajtorë penalë, por sepse besimi publik konsiderohet themeli i funksionimit të shtetit.
Rasti i ish-zëvendëskryeministres suedeze Mona Sahlin mbetet simbolik në këtë drejtim. Ajo u largua nga jeta politike pas përdorimit të kartës së institucionit për shpenzime personale relativisht të vogla. Në kulturën nordike, standardi etik është shpesh më i fortë sesa vetë detyrimi penal. Dorëheqja nuk shihet si dobësi politike, por si mënyrë për të mbrojtur integritetin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve edhe në nivel lokal.
Në Shqipëri, përkundrazi, përgjegjësia politike pothuajse nuk ekziston. Edhe përballë një skandali që përfshin policinë, strukturat territoriale dhe ndërtime pa leje në bregdet, politika vazhdon të sillet sikur problemi është thjesht administrativ dhe i kufizuar tek disa vartës lokalë.
Ndërkohë, nga ana tjetër, duhet ruajtur edhe parimi themelor i prezumimit të pafajësisë për personat e arrestuar apo të hetuar. Askush nuk mund të konsiderohet fajtor pa një vendim të formës së prerë. Pikërisht për këtë arsye dhe në këtë kontekst lind edhe dilema më serioze e kësaj historie: a kanë vepruar këta funksionarë të vetëm, apo kanë operuar brenda një klime tolerance politike apo urdhërash politik?!
Kjo pyetje lind natyrshëm nga mënyra se si funksionon administrata shqiptare. Opinioni publik e ka të vështirë të besojë se punonjës të niveleve të mesme do të merrnin përsipër të toleronin ndërtime të rëndësishme në një zonë strategjike turistike pa krijuar bindjen se gëzonin mbështetje apo mbrojtje politike nga nivele më të larta.
Në fakt, kjo është arsyeja pse qytetarët shqiptarë reagojnë me skepticizëm ndaj rasteve të tilla. Shumë prej tyre kanë krijuar bindjen se, në momente krizash publike, sistemi tenton të sakrifikojë hallkat më të dobëta të administratës, ndërsa përgjegjësia politike mbetet e paprekshme. Kjo është një ndjesi që dëmton jo vetëm besimin tek institucionet, por edhe vetë legjitimitetin moral të mazhorancës në nivel qarku e qoftë të vet shtetit.
Shprehja popullore “peshku qelbet nga koka” nuk është thjesht metaforë folklorike. Ajo përmbledh logjikën e përgjegjësisë në çdo sistem administrativ: deformimi institucional fillon nga maja e hierarkisë dhe reflektohet më pas në hallkat vartëse.
Për këtë arsye, vazhdimi në detyrë i Bledi Çuçit pas këtij skandali krijon një problem serioz besueshmërie publike. Një tërheqje e tij nuk do të përbënte pranim faji, por një akt reflektimi politik dhe institucional në raport me qytetarët.
Filozofi francez Montesquieu shkruante se: “Çdo njeri që ka pushtet është i prirur ta keqpërdorë atë.” Pikërisht për këtë arsye demokracitë moderne nuk maten vetëm nga aftësia për të ndëshkuar shkelësit, por nga aftësia për të prodhuar përgjegjësi morale në nivelet më të larta të pushtetit.
Dhe pikërisht këtu rikthehet pyetja që sot shtrojnë shumë qytetarë: nëse për një skandal të tillë arrestohen efektivë policie, zyrtarë territorialë dhe biznesmenë, atëherë a mund të vazhdojë të sillet politika sikur nuk ka asnjë lidhje me atë që ka ndodhur?
Përgjegjësia e Bledi Çuçit, deri në këtë moment, është politike dhe morale, jo penale. Por në demokraci, pikërisht përgjegjësia morale është ajo që mbron reputacionin e institucioneve dhe besimin publik.
Prandaj lind natyrshëm edhe një pyetje tjetër: mos vallë do të ishte më dinjitoze që Bledi Çuçi të tërhiqej nga drejtimi politik i qarkut Vlorë, për të ruajtur jo vetëm integritetin e vet politik, por edhe reputacionin e mazhorancës, të Edi Ramës dhe të vetë socialistëve që i kanë besuar me votë?
Sepse një skandal i tillë nuk dëmton vetëm disa funksionarë lokalë. Ai krijon perceptimin se e gjithë struktura politike që administron territorin ka dështuar të kontrollojë paligjshmërinë. Në këtë kuptim, janë dëmtuar moralisht edhe shumë qytetarë socialistë që kanë votuar me bindjen se po mbështesnin një administrim të përgjegjshëm për një shtet funksional.
Dhe ndoshta, pikërisht në këtë moment, akti më i fortë politik nuk do të ishte heshtja, por përgjegjësia.
Pra, nëse drejtimi i komisariatit të policisë dhe drejtimi i IMT-së janë poste që burojnë nga vendimmarrja dhe mbështetja politike e qarkut, atëherë a nuk lind natyrshëm përgjegjësia e politikës lokale për atë që ka ndodhur në Sarandë? Dhe nëse politika e qarkut Vlorë drejtohet politikisht nga Bledi Çuçi, atëherë a mund të qëndrojë ai jashtë këtij debati publik dhe moral?