Arrestohet në Sarandë 22-vjeçari francez që mashtronte qytetarët, në kërkim një gjerman
Një 22-vjeçar francez është arrestuar nga Policia e Sarandës, pasi dyshohet se mashtronte qytetarët shqiptarë përmes faqeve të rreme që imitonin faqen zyrtare të Posta Shqiptare.
Në kuadër të operacionit të koduar “Posta e Rreme 2”, autoritetet shpallën në kërkim edhe një shtetas gjerman, 53 vjeç, i identifikuar me inicialet T. M., i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.
Sipas Policisë së Shtetit, dy shtetasit kishin krijuar faqe interneti identike me ato të Postës Shqiptare dhe u dërgonin qytetarëve SMS me linqe mashtruese, me qëllim marrjen e të dhënave personale dhe bankare për përfitime të paligjshme financiare.
“Nëpërmjet dërgimit të SMS-ve me linqe mashtruese, synonin të merrnin të dhëna personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë, me qëllim përfitimin e paligjshëm të vlerave monetare nga llogaritë e tyre bankare”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë operacionit, uniformat blu sekuestruan telefona celularë, karta SIM, karta bankare, dokumente dhe sende të tjera që dyshohet se përdoreshin në aktivitetin kriminal.
Policia bëri të ditur se në raste të mëparshme disa qytetarë kanë rënë pre e kësaj skeme mashtrimi, duke pësuar humbje monetare pasi kanë vendosur të dhënat bankare në faqet e falsifikuara.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”.
Policia apeloi ndaj qytetarëve që të mos klikojnë në linqe të dyshimta të dërguara me SMS, email apo rrjete sociale dhe të mos japin të dhëna bankare në faqe të paverifikuara.