Incidenti: Rusia bllokoi GPS-n e avionit të ministrit britanik të Mbrojtjes
Një avion ushtarak britanik që transportonte ministrin britanik të Mbrojtjes, John Healey, është goditur nga ndërhyrje elektronike të dyshuara ruse gjatë një fluturimi nga Estonia drejt Britanisë, duke humbur sinjalin GPS për të gjithë udhëtimin prej rreth tre orësh.
Sipas raportimit të The Telegraph, incidenti ndodhi më 21 maj, kur avioni ushtarak RAF Dassault Falcon 900LX po fluturonte pranë kufirit me Rusinë.
Raportohet se sistemi GPS i avionit u çaktivizua plotësisht gjatë fluturimit, ndërsa telefonat dhe laptopët e pasagjerëve humbën gjithashtu lidhjen me internetin.
Mes pasagjerëve në bord ndodheshin fotografë dhe një gazetar, të cilëve iu komunikua se fluturimi mund të vazhdonte pa rrezik. Rruga e avionit mbeti e dukshme në platformat publike të gjurmimit ajror, megjithëse mbetet e paqartë nëse vetë Healey ishte objektiv i drejtpërdrejtë.
“Kjo ishte një ndërhyrje e papërgjegjshme nga Rusia, por Forcat Ajrore Mbretërore janë të përgatitura mirë për aktivitete të tilla”, citoi The Telegraph një burim të mbrojtjes britanike.
Incidenti vjen vetëm pak ditë pasi Ministria britanike e Mbrojtjes zbuloi një tjetër përplasje të rrezikshme mbi Detin e Zi, ku një avion rus Su-35 iu afrua aq shumë një avioni britanik të mbikëqyrjes RAF Rivet Joint sa aktivizoi sistemet emergjente dhe çaktivizoi autopilotin.