Një ambasador ndryshe, për një Shqipëri që po shihet ndryshe
Nga Klementin Mile
Shumë njerëz po fokusohen te një fjali e Eric Wendt-it, kandidatit për postin e ambasadorit amerikan në Tiranë: “Do mbështes SPAK-un”.
Por sinjali real strategjik është tjetërkund.
Amerika nuk po sjell në Tiranë diplomatin klasik.
Po sjell njeriun e operacioneve speciale, NATO-s, sigurisë dhe luftës kundër rrjeteve kriminale.
Ky është ndryshim i madh.
Kur një shtet i fuqishëm ndryshon llojin e njerëzve që dërgon në një vend, ka ndryshuar edhe mënyrën si e sheh vendin.
Dhe deklarata e Wendt-it e konfirmon këtë.
Ai nuk foli pothuajse fare për:
demokracinë,
dialogun politik,
reformën zgjedhore,
apo standardet liberale klasike.
Wendt foli për:
SPAK-un,
kartelet latino-amerikane,
trafikun,
portet,
NATO-n,
sigurinë kibernetike,
investimet strategjike.
Pra Shqipëria po shihet gjithnjë e më shumë
jo thjesht si problem politik,
por si nyje sigurie dhe influence në Adriatik.
Pjesa më e rëndësishme ishte Porto Romano.
Kur kandidati për ambasador amerikan fillon të flasë për një port shqiptar si aset të NATO-s dhe forcave amerikane, kjo do të thotë se infrastruktura shqiptare po hyn në logjikën gjeopolitike.
Kjo nuk është më thjesht ekonomi.
Është siguri.
Është kontroll logjistik.
Është pozicionim strategjik në Mesdhe.
Edhe fjalia për “më pak probleme ligjore për investitorët amerikanë” është shumë domethënëse.
Në gjuhën diplomatike do të thotë se Amerika pret më shumë garanci, më shumë kontroll dhe më pak zona gri në sistem.
Prandaj mendoj që, nëse mandatohet, Wendt nuk do të jetë ambasador i retorikës,
por ambasador i presionit operacional.
Në terma praktikë mund të presim:
më shumë mbështetje për SPAK-un,
më shumë fokus te pastrimi i parave,
më shumë vëmendje për portet dhe trafikun,
më shumë integrim ushtarak me NATO-n,
dhe më pak tolerancë ndaj lidhjeve të politikës me krimin.
Pra emërimi i Eric Wendt-it mund të shënojë kalimin nga “diplomacia politike” te “diplomacia e sigurisë”.
Dhe zakonisht superfuqitë e bëjnë këtë kalim vetëm kur një vend fiton rëndësi strategjike… ose perceptohet si rrezik strategjik.