21 Maj, 2026

“Bëjini mirë llogaritë” – Ministri Lamallari zbarkon në Sarandë, pas skandalit që shkriu gjithë Komisariatin e Policisë

 “Bëjini mirë llogaritë” – Ministri Lamallari zbarkon në Sarandë, pas skandalit që shkriu gjithë Komisariatin e Policisë

Ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita dhe drejtues të tjerë kanë zbarkuar në Sarandë pas skandalit në “CopaCabana”, ‘beach bar’-it pa leje që çoi në shkarkimin e kupolës drejtuese të policisë së qytetit.

Lamallari tha se çdokush që mendon se interesat publike janë vetjake, gabon.

“Saranda dhe gjithë bregdeti shqiptar është pasuri kombëtare. Nëse dikush mendon që interesat publike mund të rreshtohen në kufijtë e vetjakes, e ka shumë gabim. Reagimi i shpejtë i policisë, strukturave të mbikëqyrjes ishte mesazhi i parë për javën për të treguar që nuk mund të jetë një lojë dhe ne të presim sa të ndërtohet betoni 7 kate”, tha Lamallari.

Ai kërkoi hetim të thelluar lidhur me ngjarjen, ndërsa ua bëri të qartë uniformave blu se detyra duhet të bëhet me nder ose ndryshe ka pasoja.

“Kjo kërkon një hetim të thelluar, përveç përgjegjësisë direkte të atyre punonjësve që kanë përgjegjësi apo kanë flirtuar me paligjshmërinë, kjo vlen për çdo cep të bregdetit shqiptar. Mesazhi është shumë i qartë, ka dy rrugë për dikë që ka për detyrë të zbatojë ligjin: të bëjë detyrën me nder, por çdokush tjetër që mendon se mund ta bëjë diçka të tillë, llogaritë t’i bëjë vetë.

Përveç ndërtimeve pa leje, ka një tjetër gjë: siguria dhe perceptimi i saj nga qytetarët. Do të ishte e papranueshme një xhirim gomash, jo më armëmbajtje pa leje. Punonjësit me uniformë të mos mbyllin sytë, por t’i tregojnë vendin çdokujt. Kjo është arsyeja pse kolegët tuaj sot nuk janë në tavolinë, por po përballen me drejtësinë”, tha Lamallari.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *