Shteti me oligarkët, shteti kundër oligarkëve: Dy standartet e Edi Ramës
Ajo që po ndodh me Begjet Pacollin, tregon dhe dy standartet që mban shteti shqiptar ndaj biznesmenëve dhe oligarkëve.
Prej dy ditësh, pa asnjë vendim gjykate, Begjet Pacollit i bllokojnë hyrjen me polici në kantierin e Aeroportit të Vlorës, ku ai është investitori kryesor me 98%.
Nuk lejohet asnjë punëtor të vazhdojë punën, ndërkohë që policët ngrejnë supet dhe thonë “kështu është urdhëri”.
Qartazi shteti në këtë mes, është bërë palë me ortakun e Pacollit.
Por ndërsa Pacollit i dërgojnë policinë për të mos e lejuar të hyjë në investimin e vet, në Lezhë, një oligarku tjetër, Bashkim Ulajt, i kanë vënë në dispozicion policinë, si roje private.
Aty policia përplaset me qytetarët, që protestojnë se po iu grabitet prona.
Pra policia në të dyja rastet keqpërdoret me urdhër politik, njëherë për të mbrojtur një oligark dhe herën tjetër për ta përzënë atë nga investimi i vet i ligjshëm, pa pyetur fare se ai është pronari dhe ndërtuesi i asaj prone.