Nikoll Lesi: Edi Ramën e kam pasur gazetar, deri sa ma rrahën. Berisha më hodhi shtëpinë në erë, ndërsa Nano kërkoi arrestimin tim
Nikoll Lesi ka reaguar, pas disa kritikave që ka marrë për intervistën e tij me kryeministrin Edi Rama.
“E para ishte ditë feste dhe zgjedhja e Edi Ramës për bashkëbisedim u bë se ai ka qenë gazetar dhe analist i gazetës KOHA JONE ndër vitet 1992-1997, e aq me tepër që me 23 janar 1997 ai u godit me leva hekuri në kokë e fytyrë pikërisht për shkrimet që botonte në këtë gazete legjendare.
Ndaj ishte një përzgjedhje në këtë sens. E aq me tepër që ishte përvjetor feste dhe nuk kishte se si ai të “shpartallohej” për gjëra që nuk lidheshin me festën në fjalë, e ku që në fillim e kisha anoncuar se flitet për gazetën e përballjet e saj e jo për qeverisjen e sotme të Ramës, ndonëse disa pyetje ngacmuese u bënë.
Por kur të jetë herë tjetër në KOHA JONE-DEBAT, kryeministrit do t’i bëhet skaner, bile me shumë se sa bën sot media e ish-kolegut tim!
Ndërkohë jam i detyruar të them se kur unë bëja beteja për lirinë e fjalës, për media të lira dhe për të informuar realisht për shqiptarët, ndonëse me hodhën në erë shtëpinë me tritol pikërisht falangat e pushtetit, apo kur me kërkuan arrestimin tim në parlament se flisja kundër kryeministrit, ndonjë ish-koleg bënte pasuri nga pushtetet, edhe duke shfrytëzuar emrin e mirë që kishte marrë nga KOHA JONE!
Ndaj le ta lemë me festën që iku edhe inatin ndaj gazetës KOHA JONE prej ish-kolegut pasuror të sotëm”, thotë Lesi, duke iu përgjigjur kritikave.