Një detaj i pazakontë: I sanksionuar nga Pekini, Rubio hyn në Kinë falë një “truku” diplomatik
Një detaj i pazakontë diplomatik duket se i ka hapur rrugën sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për të shoqëruar presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, gjatë vizitës së tij në Kinë: një ndryshim i vogël në mënyrën se si emri i tij shkruhet në gjuhën mandarine.
Sipas raportimit të AFP-së, Rubio – një kritik i ashpër i komunizmit dhe i politikave të Pekinit – është objekt i sanksioneve kineze dhe teorikisht nuk lejohet të hyjë në territorin kinez.
Si senator, ai kishte luajtur rol kyç në mbështetjen e masave ndaj Kinës për çështje të të drejtave të njeriut, përfshirë trajtimin e ujgurëve dhe goditjen e protestave në Hong Kong.
Megjithatë, Pekini duket se ka gjetur një rrugëdalje diplomatike.
Pak përpara se Rubio të merrte detyrën në janar 2025, qeveria kineze dhe mediat shtetërore nisën të përdorin një transliterim të ndryshëm të mbiemrit të tij në gjuhën mandarine.
Ndryshimi është minimal – vetëm një karakter për tingullin “Lu” ndryshon në shqiptim dhe shkrim – por sipas dy diplomatëve të cituar nga agjencia franceze, kjo mund të ketë pasoja shumë konkrete: sanksionet mund të vlejnë vetëm për versionin e vjetër të emrit të tij.
Me pak fjalë, Rubio mund të jetë ende i sanksionuar në letër, por jo domosdoshmërish sipas emrit të ri që përdorin autoritetet kineze.
As ambasada kineze nuk ka komentuar menjëherë mbi raportimet. Ndërkohë, një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit konfirmoi thjesht se Rubio po udhëtonte drejt Pekinit bashkë me Trumpin. Ai u pa duke hipur në avionin presidencial “Air Force One” të martën.