Nuk është më thjesht Spiropali, po formohet një rrymë brenda PS-së
Nga Klementin Mile
Gabimi më i madh është të mendosh se postimet e fundit të Elisa Spiropalit janë një histori personale me Ramën.
Kur sheh:
Elisa Spiropalin që flet për kufizimin e pushtetit nga ligji,
Ditmir Bushatin që sulmon mungesën e koherencës në politikën e jashtme,
Erion Braçen që denoncon publikisht abuzimin ekonomik dhe grabitjen në tregun e naftës,
atëherë kupton që po ndodh diçka më e thellë.
Po krijohet një klimë e re brenda PS-së.
Dhe detaji më interesant është ky:
askush nuk po e sulmon Ramën drejtpërdrejt si individ.
Të gjithë po godasin modelin.
Modelin e një pushteti që:
është centralizuar ekstremisht,
është kthyer në administrim e jo më politikë,
po funksionon më shumë me kontroll sesa me debat,
po zëvendëson përfaqësimin me bindjen e verbër.
Kjo është arsyeja pse lëvizjet duken të koordinuara, edhe kur mund të mos jenë ulur kurrë bashkë në një tavolinë.
Në strategji politike ekziston një fenomen:
elitat fillojnë të sinkronizohen jo sepse marrin urdhër, por sepse arrijnë të njëjtin përfundim.
Dhe përfundimi që po shfaqet brenda PS-së është ky:
modeli aktual i pushtetit po hyn në konsumim.
Prandaj Spiropali flet për frikën nga mendimi ndryshe.
Prandaj Bushati flet për mungesën e seriozitetit strategjik të shtetit.
Prandaj Braçe flet për grabitjen ekonomike të qytetarëve.
Në sipërfaqe duken tema të ndryshme.
Në thelb janë e njëjta akuzë: “pushteti ka devijuar”.
Madje edhe fotografia e Spiropalit, Olta Xhaçkës, Damian Gjiknurit, Bledi Çuçit dhe të tjerëve duke pirë kafe bashkë pas seancës plenare merr kuptim tjetër në këtë kontekst.
Në politikë, kafeja shpesh nuk është kafe.
Është sinjal.
Dhe sinjali duket i qartë: brenda PS-së po lind gradualisht një bërthamë “institucionalistësh”.
Jo domosdoshmërisht kundër Ramës.
Por kundër modelit të hipercentralizimit.
Kjo është shumë e rëndësishme.
Sepse sistemi i Ramës ka qenë i fortë jo vetëm nga kontrolli i pushtetit, por edhe nga heshtja e elitës përreth tij.
Kur muri i heshtjes fillon të çahet, ndryshon gjithçka.
Jo sepse Rama rrëzohet nesër.
Por sepse për herë të parë pas shumë vitesh, kritika ndaj modelit të tij nuk po vjen vetëm nga opozita.
Po vjen nga brenda sistemit.