SHBA negocion hapjen e bazave të reja ushtarake në Groenlandë
Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë negociata të fshehta me Danimarkën për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në Groenlandë, në një përpjekje për të rritur kontrollin strategjik në Arktik dhe Atlantikun Verior.
Sipas disa zyrtarëve të njohur me bisedimet, administrata e presidentit Donald Trump po kërkon hapjen e tre bazave të reja ushtarake në jug të Groenlandës, territor gjysmë-autonom nën sovranitetin e Danimarkës.
Negociatat po zhvillohen prej muajsh dhe konsiderohen pjesë e përpjekjeve për të ulur tensionet diplomatike të krijuara pasi Trump deklaroi në janar se SHBA-të duhet ta “zotërojnëë” Groenlandën për të penguar ndikimin rus dhe kinez në rajon.
“Do të ndodhë ose në mënyrën e lehtë, ose në mënyrën e vështirë”, kishte deklaruar Trump në fillim të vitit, duke shkaktuar reagim të fortë nga Kopenhageni dhe aleatët e NATO-s.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi se ekzistojnë bisedime të nivelit të lartë me Danimarkën dhe Groenlandën, por refuzoi të japë detaje mbi negociatat. Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme daneze pranoi se po zhvillohet një “kanal diplomatik aktiv” me SHBA-të.
Sipas burimeve, një nga opsionet e diskutuara është që bazat e reja të konsiderohen formalisht territor sovran amerikan, megjithëse ende nuk ka marrëveshje përfundimtare.
Bazat pritet të fokusohen kryesisht në monitorimin e aktivitetit detar rus dhe kinez në të ashtuquajturin korridor strategjik GIUK Gap – zona mes Groenlandës, Islandës dhe Britanisë së Madhe, me rëndësi të madhe për lëvizjet ushtarake në Atlantikun Verior.
Një nga bazat mund të ndërtohet në Narsarsuaq, aty ku më parë ka ekzistuar një bazë amerikane me aeroport ushtarak. Objektet e tjera mund të vendosen në pika që kanë tashmë infrastrukturë portuale ose pista ajrore, për të ulur kostot e ndërtimit.
Aktualisht SHBA-të kanë vetëm një bazë ushtarake aktive në Groenlandë, Pituffik Space Base, e cila përdoret për monitorimin e raketave në kuadër të sistemit NORAD.
Negociatat po drejtohen nga zyrtari i Departamentit amerikan të Shtetit, Michael Needham, ndërsa pala daneze përfaqësohet nga ambasadori Jesper Møller Sørensen dhe diplomati groenlandez Jacob Isbosethsen.
Burime diplomatike thanë se ekipet janë takuar të paktën pesë herë që prej janarit, ndërsa bisedimet kanë avancuar larg vëmendjes publike.
Ekspertët e sigurisë në Arktik thonë se marrëveshja mund të arrihet brenda kuadrit të paktit të vitit 1951 mes SHBA-ve dhe Danimarkës, i cili i jep Washingtonit të drejtë të zgjerojë operacionet ushtarake në Groenlandë me miratimin danez.
Megjithatë, kritikat ndaj retorikës së Trump vazhdojnë. Ish-zyrtarë amerikanë kanë argumentuar se SHBA-të mund të siguronin interesat strategjike në Groenlandë pa kërcënuar publikisht një aleat të NATO-s me ide pushtimi ose kontrolli territorial.
Nga ana tjetër, ish-komandanti i NORAD-it, Glen VanHerck, mbrojti zgjerimin e pranisë amerikane, duke deklaruar se “aty ku SHBA-të dhe aleatët lënë vakum, ai mbushet nga Kina dhe Rusia”.
Megjithatë, kompanitë teknologjike po eksperimentojnë me modele të reja që mund të kundërshtojnë përdoruesin ose të japin përgjigje më realiste, në përpjekje për të shmangur varësinë emocionale dhe izolimin social.