Trump drejt Kubës? – Retorika e Rubios ndez alarmin për pushtim amerikan
Presidenti amerikan Donald Trump dhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio kanë ashpërsuar ndjeshëm retorikën ndaj Kubës, duke nxitur spekulime se administrata amerikane mund të jetë duke shqyrtuar një ndërhyrje të mundshme ushtarake ndaj ishullit komunist.
Sipas një raporti të publikuar nga Axios, presidenti amerikan ka rritur presionin ndaj Havanës në javët e fundit, ndërsa fluturimet amerikane të zbulimit pranë brigjeve kubane janë shtuar ndjeshëm që prej muajit shkurt.
Raporti paralajmëron se një përballje e mundshme mes SHBA-ve dhe Kubës do të ishte kriza më e madhe mes dy vendeve që prej krizës së raketave në vitin 1962.
Tensionet janë rritur edhe më shumë pas deklaratave të Trump, i cili sugjeroi se një aeroplanmbajtëse amerikane që po kthehet nga Lindja e Mesme mund të pozicionohet pranë Kubës.
“Ajo mund të afrohet rreth 100 metra nga bregu dhe ata do të thonë: ‘Faleminderit shumë, dorëzohemi’”, deklaroi Trump.
Edhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili është me origjinë kubane, sulmoi ashpër regjimin në Havana, duke e cilësuar sistemin ekonomik të vendit si të dështuar.
“E vetmja gjë më e keqe se një komunist është një komunist inkompetent”, u shpreh Rubio.
Ndërkohë, administrata amerikane vendosi sanksione të reja ndaj Kubës javën e kaluar, masa që Ministria e Jashtme kubane i cilësoi si “ndëshkim kolektiv me natyrë gjenocidale”.
Kriza ekonomike në ishull është përkeqësuar më tej edhe pas dobësimit të mbështetjes nga Venezuela, një prej aleatëve kryesorë të Kubës për furnizimin me naftë.
Megjithatë, deri tani nuk ka sinjale konkrete se Washingtoni ka marrë vendim për një operacion ushtarak. Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, deklaroi se Trump i ka thënë privatisht se nuk ka ndërmend të pushtojë Kubën.
Por ekspertët paralajmërojnë se retorika e ashpër, shtimi i fluturimeve të mbikëqyrjes dhe sanksionet e reja po krijojnë një klimë tensioni dhe pasigurie si në Havana, ashtu edhe në komunitetin kuban në Miami.
Sebastian Arcos, drejtues i përkohshëm i Institutit për Studime Kubane në Florida International University, deklaroi për Axios se SHBA-të mund të marrin në konsideratë një “veprim ushtarak nga distanca”, të ngjashëm me operacionet e fundit kundër Iranit, me qëllim tronditjen e regjimit kuban.
Sipas tij, data 20 maj — dita e pavarësisë së Kubës — mund të jetë një moment kritik për zhvillimet e ardhshme.