Evropa në garë për armët e së ardhmes
Evropa po përshpejton ndjeshëm investimet në industrinë e mbrojtjes, në një përpjekje për të ndërtuar armë të reja me kosto të ulët, sidomos dronë dhe sisteme autonome, në kushtet e pasigurisë globale dhe luftës në Ukrainë.
Sipas raportimeve, vendet evropiane po synojnë të reduktojnë varësinë nga SHBA dhe të rrisin “sovranitetin e mbrojtjes”, duke investuar miliarda euro në kompani vendase dhe startup-e të teknologjisë ushtarake.
Kjo lëvizje është nxitur nga tensionet gjeopolitike, përfshirë luftën në Ukrainë dhe dyshimet mbi angazhimin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara në NATO, sidomos pas qëndrimeve të presidentit amerikan Donald Trump për aleancën.
Në fokus të kësaj gare është zhvillimi i dronëve të lirë dhe efektivë, të cilët tashmë kanë ndryshuar mënyrën e zhvillimit të luftës moderne. Në konfliktin në Ukrainë, përdorimi masiv i dronëve ka detyruar ushtritë të përshtatin taktikat dhe të investojnë në sisteme mbrojtëse më të avancuara.
Ekspertët theksojnë se vendet europiane po kalojnë drejt një modeli të ri të prodhimit ushtarak, ku përparësi kanë armët “të konsumueshme” dhe me kosto të ulët, në vend të sistemeve tradicionale shumë të shtrenjta.
Bashkimi Evropian ka premtuar rreth 800 miliardë euro për mbrojtjen në katër vitet e ardhshme, ndërsa edhe Britania e Madhe po rrit shpenzimet dhe po përballet me presion për të përshpejtuar modernizimin e ushtrisë.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se, pavarësisht investimeve të mëdha, kalimi i teknologjisë së re në kapacitete reale ushtarake do të kërkojë vite.