21 Maj, 2026

Thirri shokët për të rrahur Tor Ruçin por u përballën me Rexhep Ismailin, vetëdorëzohet Kostandin Vogli! 31 vjeçari u fsheh gjithë natën me plumb në trup

 Thirri shokët për të rrahur Tor Ruçin por u përballën me Rexhep Ismailin, vetëdorëzohet Kostandin Vogli! 31 vjeçari u fsheh gjithë natën me plumb në trup

Kostandin Vogli, personi që ka mbetur i plagosur mbrëmjen e djeshme në konfliktin me armë që ndodhi në fshatin Gjashtë të Sarandës, është vetëdorëzuar mesditën e sotme në ambiente e Komisariatit të qytetit.

Ai ka qenë i plagosur dhe jo në gjendje të mirë shëndetësore, pasi prej orës 22:00 të natës së kaluar, ka marrë një plumb në trup, paraprakisht bëhet me dije në këmbë, dhe gjithë natën ka marrë mjekim në kushte ambulatore.

Kostandin Vogli ka marrë ndihmën e parë në Spitalin e Sarandës dhe aje është marrë në pyetje paraprakisht nga prokurorja e çështjes, e cila ka urdhëruar shërbimet e Policisë të sigurojnë sallën ku ndodhet 31 vjeçari, derisa të dërgohet për në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Kostandin Vogli ka pasur konflikt me shtetasin Viktor Ruçi, një person i skeduar nga Policia e Shtetit dhe i dalë nga burgu vetëm një muaj më parë, dhe kur ka mësuar se ai ndodhej në karburantin e Rexhep Ismailit ka thirrur shokët.

31 vjeçari dhe disa të rinj të tjerë kanë hyrë në lokalin që ndodhet në të njëjtën godinë me karburantin “Vëllezërit Ismaili” dhe ka kërkuar të marrë me forcë nga këto ambiente shtetasin Viktor Ruçi, njohur dhe si Tor Ruçi.

Mirëpo, ky shtetas ka qenë në tavolinë me biznesmenin dhe pronarin e ambienteve Rexhep Ismaili dhe ky i fundit u ka thënë të rinjve se Tor Ruçi ishte “në shtëpinë e tij”, në besën e tij, dhe ndaj askush nuk mund ta prekte me dorë.

Në këtë moment, situata është tensionuar me grupin e Kostandin Voglit që ka dashur në çdo mënyrë të merrte me vete Tor Ruçin, sepse këta dy persona kanë një konflikt të vjetër pronësie për një lokal në zonën e Lukovës.

Palët janë rrahur me grushte e sende të forta, tavolina e karrige, derisa siç raportohet nga burime jozyrtare, biznesmeni Rexhep Ismaili ka marrë automatikun nga banaku i lokalit dhe ka nisur të qëllojë në drejtim të Kostandin Voglit dhe shokëve të tij.

Në kushtet kur u rrezikohej jeta dhe për vetëmbrojtje, njëri prej tyre (dyshohet Lulëzim Tabaku) është kundërpërgjigjur me pistoletë dhe fatkeqësisht plumbi ka kapur në kokë Rexhep Ismailin, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Menjëherë më pas ata janë larguar nga ambientet e lokalit dhe karburantit “Vëllezërit Ismaili”, në kryqëzimin e Gjashtës, në drejtime ende të paditura sepse asnjë prej tyre nuk është arrestuar, përveç Konstandin Voglit që u vetëdorëzua i plagosur.

Raportohet se edhe automjeti Audi RSQ8 që ka mbetur në rrugë është i të rinjve dhe jo i Rexhep Ismailit, por kjo nuk është konfirmuar ende nga grupi hetimor.

Deklarata e drejtorit të Policisë Vlorë, Elidon Çela: 

Jam sot këtu për të informuar opinionin publik lidhur me veprimet e shpejta, intensive dhe profesionale hetimore, të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të ngjarjes së ndodhur rreth orës 21:30 të datës 07.05.2026.

Ngjarja ka ndodhur në kryqëzimin e fshatit Gjashtë, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit R. I., (Rexhep Ismaili) ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. I., 66 vjeç, si dhe u plagos shtetasi K.V. (Kostandin Vogli).

Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes si dhe zbardhja e dinamikës së ngjarjes.

Gjithashtu, vetëm pak momente më parë është bërë dhe shoqërimi i shtetasit të plagosur Kostandin Vogli i cili aktualisht po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vijim ky shtetas do t’u nënshtrohet procedurave penale.

Nga hetimet rezultoi se mbrëmjen e djeshme, shtetasit:

L.T., Lulzim Tabaku, 37 vjeç

I.C., Idriz Çela 40 vjeç,

E.M., Eljo Muço 19 vjeç

K.V., Kostandin Vogli 31 vjeç

M.A  Marjo Agalliu 22 vjeç

dhe E.Sh.Ermal Shkalla  21 vjeç

kanë shkuar në lokalin e viktimës dhe janë drejtuar te tavolina ku ndodheshin shtetasi Tori Ruçi i shoqëruar nga viktima dhe persona të tjerë të pranishëm duke filluar menjëherë konfliktin me sende të forta me këta shtetas.

Gjatë konfliktit të dhunshëm, rezulton se viktima R. I ka marrë një armë zjarri automatike dhe ka qëlluar në drejtim të shtetasve të përfshirë në konflikt,

Në vijim të ngjarjes, dyshohet se shtetasi L. T. ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit R. I., i cili për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje.

Gjithashtu gjatë shkëmbit të zjarrit ka mbetur i plagosur në këmbë edhe shtetasi K.V.

Pas ngjarjes, të gjithë shtetasit e përfshirë në konflikt janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, dyshohet se vëllai i viktimës, shtetasi H. I., ka larguar nga vendngjarja dhe fshehur armën e zjarrit automatike së bashku me një krehër me 21 fishekë, të cilat më pas u gjetën dhe u sekuestruan nga Policia, në cilësinë e provës materiale.

Gjithashtu, u sekuestruan prova të tjera materiale, konkretisht një automjet tip “Audi Q8”, dhe fishekë dhe gëzhoja të kalibrave të ndryshëm dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë vijimit të hetimeve.

Gjatë kontrolleve të mëtejshme, në fshatin Nivicë u gjet i braktisur motomjeti, me të cilin dyshohet se është larguar nga vendngjarja autori i dyshuar, shtetasi L. T. Po ashtu, në lagjen nr. 1, Sarandë, u gjet dhe u bllokua një automjet tip “Audi”, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët e përfshirë në ngjarje.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u shpallën në kërkim shtetasit:

L. T., 37 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Armëmbajtja pa leje”;

I. C., 40 vjeç, E. M., 19 vjeç, K. V., 31 vjeç, M. A., 22 vjeç dhe E. Sh., 21 vjeç, për veprat penale “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Si dhe u proceduar penalisht shtetasi H. I. (Hajredin Ismaili) 60 vjeç, vëllai i viktimës.

Vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes si dhe kërkimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e të gjithë shtetasve të shpallur në kërkim.

Në këtë kuadër, ftojmë qytetarët të bashkëpunojnë me Policinë e Shtetit, duke dhënë çdo informacion të vlefshëm për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për parandalimin e veprimeve të paligjshme.

Policia e Qarkut Vlorë mbetet maksimalisht e angazhuar në luftën kundër kriminalitetit dhe në garantimin e rendit dhe sigurisë për qytetarët, turistët dhe vizitorët.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *