Rusia rikthen në heshtje bazën strategjike detare në Siri
Rusia ka nisur rikthimin gradual të pranisë së saj ushtarake në bazën detare të Tartusit në Siri, pas tërheqjes së forcave amerikane nga vendi, raporton portali detar i specializuar The Maritime Executive.
Sipas raportimit, lëvizjet e fundit të flotës ruse tregojnë përgatitje për një vendosje afatgjatë në rajon, pas një periudhe të gjatë me prezencë minimale ushtarake.
Për një kohë të gjatë, prania detare ruse në zonë ishte reduktuar vetëm në korvetën “Stoykiy”.
Megjithatë, rruga e saj konsiderohet e pazakontë: anija përshkoi gjithë kontinentin afrikan, mori pjesë në stërvitje në Cape Town dhe ndaloi në Seychelles dhe Iran, përpara se të pozicionohej pranë brigjeve siriane.
Ndryshe nga vizitat rutinë të mëparshme, anijet ruse tashmë po qëndrojnë në mënyrë të përhershme në portin e Tartusit. Sipas raportimit, “Stoykiy” ka javë të tëra e ankoruar në kalatat e destinuara për flotën e përhershme.
Raportimi thekson se zhvillimet politike në Damask kanë favorizuar rikthimin rus. Marrëveshjet ushtarake mes Sirisë dhe Rusisë, të pezulluara në dhjetor 2024, janë rikthyer pas largimit të njësive të fundit amerikane nga Siria në mesin e muajit prill.
Sipas artikullit, personeli ushtarak rus tashmë vepron me më shumë liri përgjatë bregdetit sirian.
Autokolonë “sekrete” drejt Tartusit
Një nga treguesit kryesorë të rikthimit të bazës është lëvizja e një autokolone të madhe logjistike ruse, e shoqëruar nga fregata luftarake “Admiral Kasatonov”, e konsideruar një prej anijeve moderne dhe të armatosura të flotës ruse.
Në autokolonë përfshihen:
cisterna “General Skobelev”;
anija transportuese “Sparta”;
cisterna e naftës “Akademik Pashin”.
Sipas raportimit, këto anije përdoren zakonisht për transport armësh dhe furnizimesh ushtarake.
Ekspertët detarë kanë ngritur dyshime edhe për mënyrën e lëvizjes së cisternës “General Skobelev”, e cila dyshohet se ka manipuluar sinjalin AIS për të fshehur pozicionin real. Anija rezultonte zyrtarisht në Detin Baltik, ndërsa në fakt kishte kaluar Ngushticën e Gjibraltarit.
Ekspertët besojnë se autokolona po lëviz drejt Tartusit.