Rexhep Ismaili mori kallashnikovin dhe hapi zjarr ndaj të rinjve që hynë në lokal, ata iu kthyen me pistoletë
Detaje të reja kanë dalë në dritë vrasja e biznesmenit Rexhep Ismaili në fshatin Gjashtë të Sarandës. Ngjarje kjo e ndodhur në lokalin dhe karburantin në pronësi të viktimës 66 vjeçar. Bazuar në burime për mediat, sherri gjatë të cilit mbeti i vrarë Ismaili, nuk e përfshinte drejtëpërdrejt viktimën.
Teksa pak më parë u raportua se gjatë mbrëmjes së djeshme në lokal kanë shkuar, të paktën 10 persona, të cilët kanë patur një konflikt, dyshohet pronësie, me një prej personave që ndodhej në lokal dhe kanë dashur ta rrëmbejnë. Por sipas burimeve të cituara nga Top Channel, personat që “mësynë” në lokalin e Ismailit, ka qenë 5-6.
Në momentin qe grupi i personave ka shkuar në vendngjarje, personi me të cilin kishin konflikt ndodhej në një tavolinë në verandën e lokalit me 66-vjecarin Ismaili dhe 3 persona të tjerë. Më pas mësohet se Rexhep Ismaili u ka thënë “djali është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot këtu”, duke sjellë kështu agravimin e situatës.
Si fillim ka nisur një debat verbal dhe më pas fizik me sende të forta. Pas kësaj ka qenë Ismaili ai i cili është futur brenda lokalit dhe ka dalë me një armë zjarri tip “Kallashnikov”, duke hapur zjarr disa herë ndaj grupit të të rinjve.
Nga ana tjetër grupi tjetër u kundërpërgjigj me pistoletë, duke qëlluar me plumb në kokë Ismailin I cili ka mbetur i vdekur në vend. Mësohet s epolicia ka shoqëruar 5 persona pas ngjarjes, të cilët pritet të merren në pyetje.
(Sqarojmë se ende pritet një njoftim zyrtar nga organet kompetente për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes)
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt. Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 përpara karburantit “Vëllezërit Ismaili”, në kryqëzimin apo rrethrrotullimin e Gjashtës (vendasit e njohin zonën edhe si Qafa e Gjashtës për shkak të terrenti dhe rrugës automobilistike që përshkon kodrën).
Fatkeqësisht, plumbi rezultuar fatal dhe biznesmeni e kryetari i degës lokale të Shoqatës Patriotike “Çamëria” ka ndërruar jetë në vendngjarje. Familjarë dhe banorë të zonës janë tronditur nga ngjarja dhe po japin dëshmi për të ndihmuar në hetime.