Evropa mund të arrijë autonominë ushtarake nga SHBA, me 50 miliardë euro në vit
Instituti Kiel për Ekonominë Botërore publikoi një raport ku vlerësohet se Evropa mund të arrijë autonomi në mbrojtje dhe siguri me investime prej rreth 50 miliardë eurosh në vit gjatë dekadës së ardhshme.
Dokumenti, i titulluar “Sparta 2.0”, është hartuar nga pesë investitorë, ekspertë dhe drejtues të industrisë së mbrojtjes në Gjermani dhe identifikon dhjetë boshllëqe strategjike që Evropa duhet të plotësojë për të reduktuar varësinë nga Shtetet e Bashkuara.
Sipas raportit, autonomia evropiane në mbrojtje do të kërkonte investime nga 150 deri në 200 miliardë euro deri në vitin 2030 dhe rreth 500 miliardë euro përgjatë 10 viteve të ardhshme.
“Evropa mund ta arrijë pavarësinë brenda pak vitesh”
Një nga autorët e raportit, Thomas Enders, deklaroi se një nivel i lartë pavarësie evropiane mund të arrihet brenda pak vitesh, me kosto që sipas tij mund të përballohen përmes rritjes së planifikuar të buxheteve ushtarake.
Raporti argumenton se Evropa vazhdon të mbetet e varur nga SHBA në të gjithë zinxhirin ushtarak, nga zbulimi satelitor deri te kontrolli i operacioneve në fushëbetejë.
Autorët theksojnë se përparim i konsiderueshëm drejt kapaciteteve autonome evropiane mund të arrihet brenda tre deri në pesë viteve, ndërsa “autonomia e gjerë” mund të realizohet brenda pesë deri në dhjetë viteve, nëse kjo trajtohet si prioritet politik.
Dronët, mbrojtja ajrore dhe inteligjenca artificiale në fokus
Raporti identifikon disa fusha ku Evropa ka mangësi të mëdha strategjike, përfshirë:
komandën dhe kontrollin ushtarak;
sistemet autonome dhe dronët;
mbrojtjen ajrore dhe raketore;
inteligjencën artificiale dhe “cloud”-in ushtarak;
zbulimin satelitor dhe komunikimet;
transportin strategjik ushtarak.
Sipas autorëve, Evropa ka mbetur pas në luftën e dominuar nga dronët, siç është parë në luftën në Ukraina. Raporti rekomandon krijimin e kapaciteteve për prodhimin masiv të miliona dronëve dhe municioneve autonome çdo vit.
Dokumenti propozon gjithashtu zhvillimin e një sistemi evropian komandimi dhe menaxhimi luftarak, si alternativë ndaj kompanisë amerikane Palantir, duke marrë si model sistemin ukrainas “Delta”.
“Pengesa kryesore është vullneti politik”
Autorët argumentojnë se Evropa i ka mjetet financiare, bazën industriale dhe teknologjinë për të kapërcyer varësinë strategjike, por problemi kryesor mbetet mungesa e koordinimit politik dhe fragmentimi mes vendeve evropiane.
Raporti bën thirrje për një ndryshim të madh në mënyrën e prokurimeve ushtarake, duke favorizuar konkurrencën për prototipe, prodhimin masiv dhe përfshirjen e kompanive të reja teknologjike.
“Siguria e Evropës do të vendoset nga superioriteti teknologjik dhe gatishmëria për të investuar masivisht aty ku duhet”, thuhet në përfundim të raportit.