21 Maj, 2026

Presioni saudit ndal Trumpin në Ngushticën e Hormuzit

 Presioni saudit ndal Trumpin në Ngushticën e Hormuzit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u detyrua të pezullojë një operacion të ri detar në Ngushticën e Hormuzit pasi Arabia Saudite refuzoi përdorimin e bazave ushtarake dhe hapësirës së saj ajrore nga ushtria amerikane, raporton NBC News duke cituar zyrtarë amerikanë.

Nisma, e quajtur “Project Freedom”, u njoftua nga Trump gjatë fundjavës në rrjetet sociale, por shkaktoi reagime të menjëhershme nga aleatët kryesorë të Gjirit, të cilët sipas raportimeve nuk ishin koordinuar plotësisht paraprakisht.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Riadi informoi Washington-in se nuk do të lejonte avionët amerikanë të operonin nga baza ajrore “Prince Sultan” apo të kalonin në hapësirën ajrore saudite në mbështetje të misionit. Vendimi erdhi pas njoftimit publik të Trump dhe një bisede telefonike me princin e kurorës, Mohammed bin Salman, e cila nuk arriti të zgjidhte mosmarrëveshjen.

Ky hap ndërpreu qasjen e nevojshme logjistike për realizimin e operacionit.

NBC News raportoi gjithashtu se edhe partnerë të tjerë të Gjirit ishin zënë të papërgatitur nga plani amerikan, ndërsa disa konsultime u zhvilluan vetëm pasi operacioni ishte bërë publik.

Më vonë, Shtëpia e Bardhë këmbënguli se aleatët ishin informuar paraprakisht.

Ndërkohë, ushtria e Shteteve të Bashkuara kishte nisur vendosjen e anijeve dhe mjeteve mbështetëse në Gjirin Persik përpara se operacioni të pezullohej.

Sipas zyrtarëve, operacioni kishte për qëllim garantimin e kalimit të sigurt të anijeve tregtare në këtë korridor strategjik detar, në kushtet e presionit iranian, dhe ishte i ndarë nga aktivitetet e tjera ushtarake në rajon.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *