Kulla në ndërtim u bë “mollë sherri”, Artan Hoxha rrëfen prapaskenat: Ervin Matën e mori peng Ervis Martinaj, bëhej fjalë për 100 milionë euro investim
Gazetari investigativ Artan Hoxha ka folur mbi arrestimin e të kërkuarit Ervin Mata në Ilha Bela të Brazilit.
Ai ka zbuluar detaje të reja mbi ngjarjen e njohur të “Bllokut”, duke treguar se Ervin Mata, në atë kohë 31 vjeç, ishte përfshirë në marrëveshje dhe transferta të mëdha droge, pa pasur një grup kriminal të vetin. Sipas Hoxhës, Mata vinte nga një familje me gjendje të mirë financiare dhe ishte i aftë të organizonte linja trafiku ndërkombëtar.
“Kur ka ndodhur ngjarja në Bllok, Ervin Mata ka qenë 31 vjeç dhe ky është futur shpejt në këtë lloj industrie, vjen nga një familje me gjendje shumë të mirë financiare, i ati ka pasur një hotel para ’97, nuk ishte nga këta që vinte nga rruga.
Ai nuk ka grup të vetin, por marrëveshjet që bënte, linjat që përdorte, ishte i aftë të organizonte një transfertë droge nga Amerika Latine, e doje në Hamburg ta zbarkonte aty”-tha Artan Hoxha.
Hoxha tha se para ngjarjes në Bllok, Ervin Mata ishte marrë peng në mes të ditës nga Ervis Martinaj, pranë RTSH-së, për shkak të një kulle që po ndërtohej.
“Është marrë peng para RTSH, para se të ndodhte ngjarja në Bllok, në mes të ditës dhe është futur në një qendër tregtare aty pranë dhe është marrë nga Ervis Martinaj.
U mor peng për një kullë që po ndërtohej. I është dhënë një çantë me 2 mln euro dhe i thanë çoja babait të firmoste, është filmuar aty”– tha Hoxha.
Sipas tij, pengmarrja nuk lidhej me një konflikt tipik gangsterësh, por me një investim të madh ndërtimi.
“Ervin Mata nuk ishte tipi i gangsterit që rrinte me armë në brez, ishte çështje e një investimi që sot vlen 100 mln euro. Është marrë që të lëshonin truallin dhe nuk e ka lëshuar, u ka thënë që është punë e babait tim dhe nuk ndërhyj.
Kur ndodhi ngjarja në Bllok nuk ishin të panjohur me njëri-tjetrin”,-tha gazetari Artan Hoxha për Euroneës Albania.