Përplasja me armë që tronditi Memaliajn, Gjykata “çon në shtëpi” kushëririn e autorit dhe shokun, në kërkim ende dy vëllezërit që hapën zjarr
Dali Nela dhe Aldo Kalemi, respektivisht kushëriri dhe shoku i autorëve të dyshuar të vrasjes së Endri Goxhaj në Memaliaj, janë lënë në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” nga Gjykata e Gjirokastrës, këtë të shtunë.
Dali Nela është kushëriri i dy vëllezërve të shpallur në kërkim Donald dhe Marialdo Nela, i cili aktualisht ndodhet në spital pasi ka marrë 4 plumba, ndërkohë dy kushërinjtë e tij janë në arrati.
Ata akuzohen se janë personat që kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të Endri Goxhaj, duke e lënë të vdekur në vend; sipas Policisë pas një konflikti të çastit, ndërsa sipas burimeve, për prishjen e pazareve të drogës.
Hetimet e bëra në kuadër të ngjarjes së rëndë e cila tronditi Memaliajn, kanë nxjerrë në pah se janë konfliktuar në total 7 persona, më konkretisht shtetasit, Dionald Nela, Marialdo Nela, Dali Nela, Aldo Kalemi dhe J. K., si dhe shtetasit G. Q. dhe Endri Goxhaj.
Gjatë konfliktit, dyshohet se Endri Goxhaj, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit Dali Nela (i arrestuar tashmë), i cili mbeti i plagosur dhe vijon të jetë në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
E për rrjedhojë, shtetasit Donald Nelaj dhe vëllai i tij Marialdo Nela, 28 vjeç dyshohet se janë kundërpërgjigjur duke hapur zjarr në drejtim të Endri Goxhajt, i cili dha frymën e fundit rrugës për në spital.