Na rikthyen radhën e vizave në aeroporte, Qeveria shqiptare duhet të reagojë për këtë çmenduri
Radhët e gjata të krijuara në aeroportet ndërkombëtare të Europës, si pasojë e implementimit të sistemit të ri kufitar, kanë sjellë shqetësim tek udhëtarët në mbarë kontinentin, pasi raportohet se janë përballur me pritje të gjata.
Në lidhje me këtë, ka reaguar gazetari i njohur shqiptar, Enkel Demi, i cili shkruan se udhëtarët shqiptarë po përballen me radhë të gjata dhe po keqtrajtohen nga punonjës aeroportesh që ulërijnë se kanë kaluar një hap përtej vijës së kuqe.
Po ashtu, Demi i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të kërkojë heqjen e këtij sistemi, pasi sipas tij, ne jemi qytetarë me të njëjtin dinjitet si ata europianë.
“Ndoshta qeveria shqiptare duhet të marrë guximin e parë dhe ta dënojë këtë mënyrë, të kërkojë urgjentisht heqjen e kësaj sjelljeje marroke. Jemi qytetarë shqiptarë, por kemi të njëjtin dinjitet si një qytetar apo katundar gjerman, francez, kroat, bullgar, italian apo grek”, theksoi ai.
Postimi i plotë:
Ky trajtim nga autoritetet e BE-së, që të bëjnë foto dhe të marrin shenjat e gishtave si kur hyn në tokën e tyre, ashtu edhe kur del, është një rikthim i turpshëm te trajtimi i qytetarëve si të dorës së dytë.
Kjo masë zbatohet ndaj një pakice që shkel rregullat e qëndrimit, por për pasojë kthehet në një dënim kolektiv për të gjithë udhëtarët, sepse burokratët e BE-së nuk gjejnë një mënyrë tjetër për të kapur shkelësit e normave.
Shumë nga ata që i shkelin këto rregulla janë të moshuar, të cilët nuk kanë më as shenja gishtash.
Të presësh në radhë të gjata, i keqtrajtuar nga punonjës aeroportesh që ulërijnë se ke kaluar një hap përtej vijës së kuqe.
Të presësh para një polici me uniformë të ndotur nga mizat, i cili dyshon për gjithkënd dhe bën me zell shfaqjen e tij, ku i duhen të paktën dhjetë minuta kontroll për çdo qytetar.
Të presësh vetëm sepse je shqiptar i Shqipërisë, i Kosovës, i Maqedonisë, i Malit të Zi, apo je serb, maqedonas, ballkanas.
Ndoshta qeveria shqiptare duhet të marrë guximin e parë dhe ta dënojë këtë mënyrë, të kërkojë urgjentisht heqjen e kësaj sjelljeje marroke.
Jemi qytetarë shqiptarë, por kemi të njëjtin dinjitet si një qytetar apo katundar gjerman, francez, kroat, bullgar, italian apo grek.
Pastaj ankohen këta se i mbytën refugjatët e Afrikës… Pikë e zezë! Na kthyen te radhët e vizave.