E diplomuara aplikon për 400 vende pune, pranohet në vetëm 3 intervista
Një studente masteri në Universitetin e Cardiff-it ka rrëfyer vështirësitë ekstreme për të hyrë në tregun e punës, pasi aplikoi për mbi 400 vende pune dhe mori vetëm tre ftesa për intervistë.
21-vjeçarja Karyna Lohvynenko, me eksperienca që përfshijnë punë me Kombet e Bashkuara dhe institucione në SHBA dhe Britani, thotë se është përballur vazhdimisht me fenomenin e njohur si “ghosting” – kur punëdhënësit nuk japin asnjë përgjigje, madje as refuzim.
“Pas dhjetëra aplikimeve në javë dhe vetëm disa përgjigjeve, pjesa tjetër është thjesht heshtje totale. Është më e keqe se refuzimi”, shprehet ajo.
Pavarësisht një CV-je të fortë dhe eksperiencave ndërkombëtare, ajo ka aplikuar në fusha të ndryshme – nga politika dhe biznesi, deri te punë bazike si bariste – pa sukses.
Ekspertët e rekrutimit thonë se kjo situatë po bëhet gjithnjë e më e zakonshme. Sipas tyre, një nga arsyet kryesore është përdorimi në rritje i sistemeve të automatizuara dhe inteligjencës artificiale për filtrimin e aplikimeve, që shpesh nuk arrijnë kurrë te një vendimmarrës njerëzor.
“Shumë aplikime nuk shihen kurrë nga një person real. AI kërkon modele, jo potencial”, thonë rekrutuesit, duke theksuar se edhe kandidatët e fortë mund të “humbasin” në volum.
Sipas të dhënave të Zyrës për Statistika Kombëtare, papunësia në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në 5.2%, ndërsa për të rinjtë (16-24 vjeç) ka shkuar në mbi 16%, niveli më i lartë në më shumë se një dekadë.
Ndërkohë, platforma LinkedIn thekson se konkurrenca për vendet e punës është bërë shumë e ashpër, duke rekomanduar që kandidatët të zhvillojnë aftësi në përdorimin e AI, të theksojnë arritjet konkrete dhe të fokusohen te aftësitë ndërpersonale.
Pavarësisht sfidave, Karyna mbetet e vendosur: “E di që do të arrij. Për momentin, thjesht duhet të vazhdoj derisa dikush të shohë potencialin tim”.