TURPI: 70 milionë lekë për jetën e 7 vjeçares Jonada Avdia, që e vrau ish-shefi i Policisë (dhe që familja s’po i merr)
Jonada Avdia, një vogëlushe e lindur dhe e rritur në Britaninë e Madhe, kishte ardhur me familjen në Shqipëri për pushime kur humbi jetën tragjikisht. Ajo ishte duke u larë në plazhin e Potamit në Himarë me babain e saj, derisa në breg u afrua skafi i ish-shefit të Policisë, Arjan Tase.
Pas katër vitesh, familjen e të ndjerës vijon ta mbulojë hija e rëndë e një shteti pa autoritet. Policia e shtetit, bashkia lokale dhe kompania e sigurimit Sigal, refuzojnë të paguajnë faturën për marrjen e jetës së një fëmije vetëm 7 vjeç.
Sot, kur të gjitha institucionet dhe kompania e sigurimit duhet të kishin paguar faturën dhe t’i kërkonin ndjesë përjetësisht kësaj familjeje, i sorrollasin gjyqeve.
Gjykata e Lartë së fundmi ka kthyer në Gjykatën e Tiranës padinë për shlyerjen e dëmit prej 620 milionë lekësh të vjetra për familjen Avdia, si dhe kamatvonesat në vlerën e 80 milionë lekëve të vjetra për mos-pagesën në kohë.
Portali “WebLajm” thotë se padia është depozituar fillimisht në Gjykatën e Tiranës, e cila e ka deleguar për kompetencë në Gjykatën Administrative Lushnjë. Kurse kjo e fundit, e ka sjellë për kompetencë në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Lartë e ka rikthyer më dt.22/12/2025 në pikën e nisjes, aty ku trokitën familjarët e Jonadës. Pra, ta gjykojë Gjykata e Tiranës.
“Detyrimin solidar të të paditurit Bashkia Himarë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Arjan Tase të paguajnë në favor të paditësave dëmin e plotë pasuror dhe jopasuror (moral dhe ekzistencial) që i është shkaktuar paditësave në vlerën 62,000,000 (gjashtëdhjetë e dy milion) lek, për ngjarjen e datës 02.08.2022 të ndodhur në vendin e quajtur ‘Potam’, Himarë, ku humbi jetën shtetasja angleze Jonada Avdia.
Detyrimin solidar të të paditurit Bashkia Himarë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Arjan Tase të paguajnë kamatvonesat mbi vlerën e dëmit, nga momenti i ngritjes së padisë deri në ekzekutimin e vendimit, interesa të cilat do të përllogariten në momentin e ekzekutimit sipas normës së interesit të Bankës së Shqipërisë.
Detyrimin e palës së paditur Sigal Uniqua Group të paguajë në favor të paditësave shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror në vlerën 8,000,000 (tetë milion) lekë në formën e dëmit moral dhe ekzistencial për ngjarjen e datës 02.08.2022 të ndodhur në vendin e quajtur ‘Potam’, Himarë, ku humbi jetën shtetasja angleze Jonada Avdia.
Detyrimin e palës së paditur Sigal Uniqua Group të paguajë kamatvonesat nga momenti i ngritjes së padisë deri në ekzekutimin e detyrimit. Dhënien e vendimit me ekzekutim të përkohshëm. Detyrimin e palëve të paditura të paguajnë solidarisht shpenzimet gjyqësore dhe avokatore”, thuhet në objektin e padisë.