Gazetari britanik që gjeti në Tiranë ‘aeroportin perfekt’
Ndërsa shumë aeroporte në Bashkimin Evropian po përballen me radhë të gjata dhe probleme serioze në kontrollin kufitar, Tirana po shfaqet si një përjashtim i dukshëm.
Gazetari i udhëtimeve Simon Calder përshkruan për britaniken The Indipendent eksperiencën në aeroportin e kryeqytetit shqiptar si të shpejtë dhe efikase, ku kontrolli i pasaportës zgjat vetëm pak sekonda.
Udhëtarët britanikë, së bashku me qytetarë të BE-së dhe vendeve të tjera, kanë akses në portat automatike (eGates), duke kaluar kufirin në kohë minimale dhe pa vonesa.
Ky realitet, sipas gazetarit, bie në kontrast të fortë me situatën në disa aeroporte evropiane, ku implementimi i sistemit të hyrje-daljeve ka shkaktuar konfuzion dhe bllokime. Në Milano, për shembull, pasagjerë të shumtë janë përballur me vonesa të gjata në aeroportin Linate, duke humbur fluturimet e tyre për shkak të procedurave të zgjatura.
Në një rast konkret, më shumë se 100 pasagjerë të një fluturimi drejt Manchesterit mbetën në tokë, pasi nuk arritën të kalonin në kohë kontrollin kufitar. Sipas raportimeve, një kombinim i menaxhimit të dobët në terren dhe kërkesave të reja për verifikime biometrike – përfshirë gjurmët e gishtave edhe në dalje – ka krijuar një situatë të paqartë dhe të ngarkuar për udhëtarët.
Ndërkohë, në Shqipëri, procedurat duket se funksionojnë më thjesht dhe më shpejt, pa komplikimet që po shfaqen në vendet e BE-së. Përvojat si ajo në Tiranë sugjerojnë një nivel më të lartë efikasiteti operacional, në bazë të shkrimit të gazetarit, në një kohë kur trafiku ajror në Evropë pritet të rritet ndjeshëm me afrimin e sezonit turistik.
Kontrasti mes dy realiteteve nxjerr në pah sfidat që po has BE-ja në zbatimin e sistemeve të reja të kontrollit kufitar, ndërsa Shqipëria, të paktën për momentin, po ofron një përvojë më të lehtë dhe më të shpejtë për udhëtarët ndërkombëtarë.