Edi Rama do të shkojë në SPAK të merret në pyetje, pranohet kërkesa e Sali Berishës
Kryeministri Edi Rama do të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me qëllim për tu pyetur lidhur me dosjen “Partizani”. Burime për mediat bëjnë me dije se GJKKO ka pranuar kërkesën e ish-kryeministrit Sali Berisha për të thirrur Ramën si dëshmitar.
Vendimi është marrë pas kërkesave të paraqitura nga mbrojtja e të pandehurve, mes të cilëve edhe ish-kryeministri Sali Berisha, të cilat janë pranuar nga trupi gjykues. Sipas vendimit, dëshmia e Ramës lidhet me rrethanat e çështjes dhe me veprimtarinë e tij gjatë kohës që drejtonte Bashkinë e Tiranës.
Në të njëjtën seancë, gjykata ka pranuar edhe kërkesat për pyetjen e Sali Berishës dhe të Jamarbër Malltezit si pjesë e procesit gjyqësor, ndërsa ka rrëzuar kërkesën për të thirrur si dëshmitar oficerin e policisë gjyqësore Besmir Karanxha, duke e vlerësuar dëshminë e tij si të parëndësishme për objektin e gjykimit. Po ashtu mësohet se lidhur me këtë dosje do të pyetet edhe Taulant Balla.
Kujtojmë se dosja “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj të 2025-ës, dhe në të janë të përfshirë edhe kreu i PD Sali Berisha i cili do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë pasi akuzohet se, në cilësinë e kryeministrit, ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij.