21 Maj, 2026

Hapet këtë verë lidhja hekurudhore Finlandë–Suedi, krijohet udhëtimi më i gjatë me tren në BE

 Hapet këtë verë lidhja hekurudhore Finlandë–Suedi, krijohet udhëtimi më i gjatë me tren në BE

Finlanda pritet të inaugurojë këtë verë lidhjen e saj të parë hekurudhore ndërkufitare me Europën kontinentale, përmes një linje të re që e lidh me Suedinë. Projekti i shumëpritur mund të vihet në funksion që në qershor, sipas Euronews.

Aktualisht, udhëtarët mund të lëvizin mes qyteteve kufitare Tornio dhe Haparanda vetëm me autobus ose makinë, edhe pse ekziston një linjë hekurudhore. Pengesa kryesore ka qenë ndryshimi i gjerësisë së shinave, një trashëgimi historike që lidhet me përfshirjen e Finlandës në Perandorinë Ruse në shekullin XIX.

Shinat në Finlandë janë ende në standardin rus prej 1524 mm, ndërsa Suedia dhe pjesa më e madhe e Europës përdorin standardin 1435 mm. Për të kapërcyer këtë problem, është arritur një zgjidhje praktike: stacioni historik në Haparanda, që daton nga fillimi i viteve 1900, po restaurohet dhe do të shërbejë si pikë kalimi për pasagjerët që ndërrojnë trenat mes dy vendeve.

Sipas autoriteteve, trenat e kompanisë shtetërore VR Group do të ndalojnë në Tornio dhe do të përfundojnë udhëtimin në Haparanda, ku udhëtarët mund të kalojnë lehtësisht në trenat suedezë të Norrtåg duke kaluar përmes ndërtesës së stacionit.

Marrëveshja për lehtësimin e trafikut hekurudhor dhe financimin e projektit është nënshkruar së fundmi mes Finlandës dhe Suedisë. Hapja zyrtare pritet të bëhet përpara festës së Mesverës në fund të qershorit.

Kjo lidhje shënon rikthimin e trenave finlandezë në linja ndërkufitare, pas pezullimit të shërbimeve drejt Shën Petersburgut në vitin 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas ekspertëve të hekurudhave europiane, kjo linjë e re mund të mundësojë edhe udhëtimin më të gjatë me tren brenda Bashkimit Europian. Rruga nga Kolari deri në Lagos konsiderohet si një nga itineraret më të gjata që mund të realizohet vetëm me trena.

Lidhja e re pritet të sjellë përfitime të shumta edhe për qytete si Rovaniemi dhe Oulu, të cilat do të kenë akses hekurudhor drejt Suedisë pa qenë nevoja për avion apo traget.

Ndërkohë, udhëtarët mund të zgjedhin edhe trenin si alternativë ndaj tragetit rreth 18-orësh mes Helsinkit dhe Stokholmit, duke përshkuar një udhëtim prej pak më shumë se 24 orësh në tokë.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *