21 Maj, 2026

Historia e pashait Abdurrahman, sundimtari i fundit i Hungarisë që lindi në një fshat të Peqinit

 Historia e pashait Abdurrahman, sundimtari i fundit i Hungarisë që lindi në një fshat të Peqinit

Nga Dorin Xhima

Ndërsa sot flitet për kutitë e votimit dhe balancat e pushtetit në Budapest, pak kush e kujton se rreth 340 vite më parë, fati i këtij qyteti ishte në duart e një shqiptari nga Peqini. Abdurrahman Pasha, sundimtari i fundit i Budës, mbetet në histori si “armiku hero” – një figurë që edhe vetë kundërshtarët e nderuan për trimërinë e tij të rrallë.

Abdurrahman Abdi Arnaut Pasha me origjinë nga Peqini ishte komandant i ushtrisë turke që pushtoi Hungarinë. Megjithëse pushtues, atij i është ngritur në vendin ku u vra, në “Buda Castle”, një memorial i posaçëm.

Memoriali ka një dedikim impresionues, pasi pashai quhet armik por e konsiderojnë edhe hero Në memorial shkruhet:

“Guvernatori i fundit i pushtimit 145-vjeçar të Buda-s, Abdurrahman Abdi Arnaut Pasha. Ra në këtë vend më 2 shtator 1686, kur ishte 70 vjeç. Ai ishte një armik hero. U prehtë në paqe!”

Po kush ishte pashai i Budës?

Abdurrahman Pasha lindi më 1616 në një fshat të Peqinit. Vazhdoi studimet e larta ushtarake në Stamboll. U edukua dhe u stërvit në në repartin e famshëm të jeniçerëve ku kishte shumë shqiptarë.

Në vitin 1674 mori postin e guvernatorit në Bagdatit dhe dy vite më vonë u bë guvernator i Egjiptit. Në vitin 1684 u emërua komandant i ushtrisë Osmane në Hungari.

Një vit më vonë u krijua “Lidhja e Shenjtë” me misionin për të larguar turqit nga Hungaria e cila sundohej prej tyre që prej 145 vjetësh. Me iniciativën dhe mbështetjen financiare të Papa Innocentit XI dhe Republikës së Venedikut u dërguan 80.000 trupa në Budapest. Ata u mbështetën edhe nga 15.000 hungarezë vendas.

Beteja e Budapestit ishte ndër më të përgjakshmet në histori.  Më 17 qershor të vitit 1686 pashai rrethohet nga ushtria e parë evropiane e bashkuar, në përbërje të së cilës kishte gjermanë, francezë, italianë, polakë, austriakë dhe hungarezë.

Kjo ushtri ishte e përbërë prej 90 000 deri 95 000 forcash. Pashai kishte brenda kështjellës vetëm 8 mijë forca.

Abdurraman Pashës iu përsërit disa herë kërkesa për dorëzim, por ai refuzoi të dorëzohej Historia thotë se Pashait iu dërgua një forcë e madhe ndihmë nga Turqia por ajo u thye në Beograd pa mundur të arrijë në Budapest.

Më 29 gusht, nga vetë Pashai organizohet një kundërsulm mbi rrethuesit, por edhe ky u thye.

Beteja e Budës është përjetuar në disa vepra artistësh, ku protagonisti kryesor është pashai plak me flokët e bardhë të mbështjellë me turban.

Në këto vepra gjenden fjalët e tij:

“Unë nuk arrita ta mbroj dot kalanë e Budës që më kish caktuar në ruajtje. Ajo çka është e drejtë, është që bashkë me rënien e kalasë, të bie edhe unë”.

Sipas kronikave – në momentet e fundit – ai u turr përpara drejt vdekjes me një grusht ushtarësh që i kishin mbetur, të cilët e ndoqën pas. Dhe u vra.

Trupi i tij i mbuluar nga gjaku, u la në shesh për disa ditë. Dita e vrasjes së tij ka hyrë në histori si dita që i dha fund pushtimit 145-vjeçar të Budapestit.

Vendi ku u vra pashai 70 vjeçar, u ruajt dhe u rrethua, deri sa 245 vjet më vonë, në këtë vend u ngrit  përmendorja, që është edhe sot, kushtuar “armikut-hero”.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *