“Kastriot Ismailaj, amerikania Rebecca Gaskin dhe Edi Rama kanë ndarë 479 milionë eurot e CEZ”
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka publikuar disa dokumente që sipas tij, tregojnë se kompania DIA ishte një krijesë amerikane, që para se të lindte dhe derisa u mbyll. Ajo bëri marrëveshje me CEZ Shpërndarje për të mbledhur detyrimet e papaguara në Shqipëri.
“Sot Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Z. Tedi Blushi bëri publike vetëm 8 nga të paktën 800 fakte, dokumenta, shkresa dhe dëshmi, që provojnë se DIA ishte një krijesë amerikane, që para se të lindte dhe derisa u mbyll.
Këto fakte, dokumenta, shkresa provojnë qartë se kontrata CEZ-DIA u lidh falë, jo vetëm lidhjeve që kishin amerikanët e DIA-s me CEZ-in, përvojave të kompanive amerikane në Çeki që ata ofruan si garanci, por edhe falë garancive që ata ofruan në emër të kompanisë mëmë, Debt Advisory International LLC, ku tre aksionerët ishin amerikanë”, thuhet në reagimin e Ilir Metës.
Kreu i Partisë së Lirisë thotë nga qelia se treshja Kastriot Ismailaj, Rebecca Gaskin dhe Edi Rama kanë bërë marrëveshje për të ndarë mes tyre 479 milionë euro që u takonin shqiptarëve.
“Akti i shkarkimit si administrator të Z. Kastriot Ismailaj nga Znj. Rebecca Gaskin në QKR, tregon se ajo nuk ishte vetëm një ndër tre aksionerët e kompanisë mëmë dhe as vetëm këshilltare ligjore e DIA-Dega Shqipëri, por edhe pronare de jure e DIA-s.
Fakti që padia e KLSH-së për 479 milion euro që Rama i fali CEZ-it “fle” në Prokurori, tregon shumë qartë marrëveshjen treshe për të ndarë këto para që u takonin qytetarëve shqiptarë”, përmbyll Ilir Meta teksa publikon dokumentet e mëposhtme.