Spiropali paralajmëron Ramën, se do ketë fatin e Orban?
Ish-ministrja e Jashtme dhe deputetja socialiste Elisa Spiropali ka reaguar pas rezultatit të zgjedhjeve në Hungari, ku votuesit i dhanë fund një periudhe të gjatë në pushtet të Viktor Orbanit.
Mesazhi i Spiropalit, duket më shumë si një kunjë dhe paralajmërim për Edi Ramën, pasi pushteti i këtij të fundit, është i ngjashëm me atë të Orban.
Reagimi i plotë:
Hungaria dhe prova e Europës
Nëse Hungaria hyn në një fazë të re politike, ky nuk është thjesht një ndryshim qeverie. Është një sinjal më i thellë për vetë Europën.
Për shumë vite me radhë, modeli i Viktor Orban ka sfiduar një nga parimet themelore të Bashkimit Europian; që demokracia nuk është vetëm votë, por edhe standard, jo vetëm shumicë, por edhe kufizim i pushtetit.
Fakti që një figurë si Peter Magyar, i dalë në skenë vetëm pak vite më parë, arrin të fitojë masivisht dhe të mobilizojë një shoqëri të tërë, tregon se edhe në sisteme të konsoliduara dhe të inventarizuara në pushtet, ekziston hapësira për ndryshim. Dhe se energjia politike nuk është e mbyllur, por pret momentin për t’u shprehur.
Ky ndryshim madhor në Hungari do të thotë se edhe në zemër të Europës, shoqëritë kanë ende fuqinë të rikthejnë balancën, të korrigjojnë devijimet dhe të kërkojnë institucione që funksionojnë.
Por mbi të gjitha, do të thotë se Europa, sot, fitoi një betejë më të madhe; besimin në vetvete. Në një kohë kur ndikimet e jashtme, përfshirë influencën ruse, kanë kërkuar të zbehin këtë besim, një kthesë e tillë tregon se vlerat europiane nuk janë thjesht parime në letër, por forca madhore që mund të rikthehen dhe të mbrohen nga vetë shoqëritë.