21 Maj, 2026

“Trimërimi” i kryeministrit shqiptar, që krahasohet me Turqinë

 “Trimërimi” i kryeministrit shqiptar, që krahasohet me Turqinë

Nga Fatos Tarifa

Rastësisht dëgjova sot në mëngjes intervistën që kryeministri ynë i dha gazetares Anne Nivat të revistës së përjavshme franceze Le Point, pak ditë më parë. Intervista ka qenë 48 minuta e gjatë, por unë e ndërpreva dëgjimin e saj në minute e 14-të. E kisha të pamundur ta dëgjoja më tej. Të pamundur për shkak të arsyetimit naiv dhe deklaratave absurde të tij.

Nuk e fsheh, në shumë aspekte, përveç proamerikanizmit, që është një sentiment kolektiv i shqiptarëve dhe jo një tipar apo qëndrim politik ekskluzivisht i kryeministrit aktual, sa dëgjova në atë intervistë ishin reminishenca të gjuhës së fortë dhe retorikës së ashpër politike të Enver Hoxhës për të theksuar idenë se populli shqiptar nuk mund të trembej apo të nënshtrohej nga asnjë armik i brendshëm apo i jashtëm. Shqipëria, thoshte Enveri, ishte “e pathyeshme dhe e mbrojtur nga çdo kërcënim”, për t’i bindur njerëzit se askush, nga brenda ose nga jashtë vendit, nuk mund të sfidonte pushtetin e tij dhe as ta lëkundte vendosmërinë e popullit.

“Ne shqiptarët nuk kemi frikë nga asgjë”, i deklaroi kryeministri Rama gazetares së njohur franceze. Ai nuk shkoi deri atje sa t’i thoshte gazetares se Shqipëria qëndron si një “shkëmb graniti buzë Adriatikut”, por tha se ne nuk kemi frikë nga dronët iranianë, sepse na mbron NATO, siç mbrojti edhe Turqinë nga predhat e iraniane. (Rastësisht, po sot në mëngjes, dëgjova një deklaratë të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, që tha se administrata e Presidentit Trump “do të duhet të rishqyrtojë lidhjet e saj me NATO-n sapo të përfundojë lufta kundër Iranit”, për shkak të mungesës së mbështetjes së vendeve anëtare të Europës). T’i besojmë fjalët e tij sot që është 1 prill?

Sa kurajoz dhe perspektiv tregohet kryeministri ynë kur Shqipërinë, vendin më të pambrojtur të NATOs, e krahason me Turqinë, fuqinë e dytë më të madhe ushtarake të kësaj Aleance. A thua se ne kemi për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të njëjtën rëndësi që ka Turqia!

Pak perspektivë historike për të kuptuar pse rasti i Turqisë nuk mund të merret si shembull për të argumentuar “trimërinë” e kryeministrit shqiptar.

Turqia është një aleate e hershme e Shteteve të Bashkuara, që e ka dëshmuar besnikërinë e saj ndaj Uashingtonit qysh në vitin 1950, ende pa u bërë anëtare e NATO-s, duke dërguar në Luftën e Koresë një brigadë sulmuese me rreth 4,500 ushtarë nën komandën e OKB-së, që luftoi në shumë beteja të mëdha përkrah ushtrisë amerikane.

Pozita e gjeostrategjike e Turqisë, në kufi me Bashkimin Sovjetik, e vuri Turqinë në vijën e parë të frontit gjatë Luftës së Ftohtë, duke i dhënë asaj një rol kyç në mbrojtjen e Europës. Turqia nuk ishte dhe nuk është thjesht një aleat periferik i NATO-s, por mban një peshë të madhe në arkitekturën e sigurisë transatlantike dhe është një shtyllë e rëndësishme e ekuilibrit global të fuqive të mëdha dhe vetë ajo një fuqi e madhe në rajonin më të gjerë të Mesdheut, të Lindjes së Mesme dhe Azisë Qendrore.

Si një demokraci myslimane laike, me një potencial ushtarak të fuqishëm dhe një pozicion gjeopolitik unik—me një këmbë në Europë dhe tjetrën në Azi dhe në kufi me vatrat më të nxehta të globit në kohën tonë—Ukrainën në Detin e Zi, Iranin, Irakun dhe Sirinë), Turqia është një aktor shumë i rëndësishëm për sigurinë dhe stabilitetin e Europës, të Lindjes së Mesme dhe atë global dhe ka potencialin t’i transformojë ndjeshëm e në mënyrë pozitive gjeopolitikën dhe gjeostrategjinë europiane dhe atë globale.

Dhe diçka tjetër, me shumë rëndësi në gjeopolitikën dhe gjeoekonominë globale që, mesa duket është larg vëmendjes së kryeministrit të Shqipërisë. Sot, Turqia ka një popullsi më të madhe se çdo vend i Europës, përfshirë edhe Gjermaninë. Europa po përjeton një vdekje demografike. Ndërsa në fillim të shekullit të 20-të popullsia e Europës përfaqësonte 21% të popullsisë së globit, sot ajo përbën vetëm 9.2% të popullsisë së përgjithshme të botës, ndërsa në vitin 2050, sipas parashikimeve të OKB-së (World Population Prospects), kjo përqindje parashikohet të bjerë në rreth 7% të dhe më pak se 4% në fund të shekullit të 21-të.

Ndërkohë, po sipas këtyre parashikimeve, në vitin 2050, Turqia dhe Irani do të kenë, veç e veç, një popullsi më të madhe se Franca dhe Anglia, të marra së bashku, ndërkohë që popullsia e Egjiptit do të jetë e barabartë me atë të Francës, të Italisë dhe të Spanjës, të marra së bashku; Etiopia dhe Kongo, veç e veç, do të kenë një popullsi të barabartë me popullsitë e Gjermanisë, të Francës dhe të Anglisë, të marra së bashku; Nigeria dhe Pakistani, të marrë veças, do të kenë një popullsi më të madhe sesa  15 vendet e Bashkimit Europian para zgjerimit të tij më 2004, të marra së bashku.  Po Shqipëria? Fatkeqësisht, realiteti ynë demografik është apokaliptik.

Në një kohë kur dimensionet e skenës botërore po ndryshojnë në mënyrë dramatike, edhe pse ende ngadalë, si lëvizjet e pllakave tektonike, por me ritme shumë më të shpejta në 20 apo 30 vitet e ardhshme dhe, akoma më shumë, në gjysmën e dytë të këtij shekulli, ne, shqiptarët, nuk kemi frikë “nga asgjë”, as nga plakja e popullsisë, as nga migrimi i njerëzve tanë, as nga rënia e lindshmërisë, as nga dronët e Iranit. Aguste Comte thoshte: “Démographie, c’est le destin”—demografia përcakton fatin e një kombi.

Këta dy faktorë—demografia dhe gjeografia—së bashku dhe në një masë të madhe, do të përcaktojnë fatin e Turqisë dhe të mbarë globit në shekullin e 21-të. Me fjalë të tjera, janë pozita gjeografike dhe dinamika e popullsisë—gjeodemografia—ato që gjithnjë më shumë do të ndikojnë në fuqinë dhe sigurinë e çdo vendi dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Por a kanë rëndësi të gjitha këto për kryeministrin tonë. Duket se jo, për sa kohë që edhe ne, si Turqia, jemi një vend i NATO-s. Në një kohë kur edhe fuqitë më të mëdha ekonomike e ushtarake të NATO-s në Europë shprehen të shqetësuara nga retorika e administratës së sotme amerikane për NATO-n si një anakronizëm dhe kërcënimi për të dalë prej saj, kryeministri ynë është tërësisht i bindur se Shqipëria nuk përballet me asnjë kërcënim.

Retorika e kryeministrit të sotëm më kujton fjalët e Enver Hoxhës drejtuar kongresit të Partisë së Punës, se “nuk kanë lindur as dje, as sot, e as do të lindin ata palikarë që ta kërcënojnë popullin shqiptar”. Kjo propagandë synonte të forconte idenë e pathyeshmërisë së popullit shqiptar dhe për të legjitimuar pushtetin e tij në një kohë kur shëndeti i tij po përkeqësohej.

Dhe, ashtu si Enver Hoxha dje, që e paraqiste veten si mbrojtësin e kombit, duke e lidhur fatin e Shqipërisë me figurën e tij, po njëlloj mendonte Berisha dhe po njëlloj duket se mendon edhe kryeministri aktual. Dje Berisha “na futi” në NATO! Sot, hyrja e Shqipërisë në BE është në duart e kryeministrit Rama; pa të shqiptarët ta harrojnë BE-në!

Më tingëlloi krejtësisht absurde në atë intervistë të kryeministrit me Le Point edhe argumenti që pranimin nga ana e qeverisë së tij më shumë se dhjetë vite më parë të muxhahedinëve iranianë (MEK) e shpjegoi me mikpritjen e shqiptarëve dhe mbrojtjen që populli ynë u bëre hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një krahasim ahistorik, asimetrik dhe alogjik! Iranianet, tha kryeministri gazetares franceze, i pranuam për të njëjtën arsye që pranuam të shpëtojmë hebrenjtë gjatë Luftës. Por, pastaj, kontradikta e madhe. “Na thanë amerikanët t’i marrim (se nuk i pranonte askush) dhe ne i morëm, se të tille jemi ne”!!

Po “të tillë” jemi ne, z. kryeministër! Këtë ka bërë edhe Enver Hoxha në kohën e tij. Pas vdekjes se Lumumbës më 1961, kryeministrit të parë të Kongos së pavarur, Shqipëria u bë strehë për një grup pasuesish të tij nga ai vend dhe, po kështu, pas vitit 1965, me rënien e Sukarnos, presidentit të parë të Indonezisë, Shqipëria u bë strehë e një grupi refugjatësh komunistë nga ai vend. Enveri i përdori këta refugjatë si simbol propagandistik të solidaritetit me popujt e Afrikës kundër kolonializmit dhe imperializmit (në rastin e parë) dhe për të treguar se Shqipëria ishte strehë për revolucionarët e ndjekur nga regjimet pro-perëndimore (në rastin e dytë).

Simbolika politike është e rëndësishme për njerëzit në pushtet. Por, ndërsa hebrenjtë gjatë Luftës i strehoi dhe i mbrojti populli shqiptar, pa ia kërkuar këtë askush veç zemrës së tij të madhe, a i pyeti kush qytetarët shqiptarë për pranimin në tokën e tyre të muxhahedinëve iranianë? Deri kur do të vazhdojmë të strehojmë opozitat e vendeve të tjera!

Apo, edhe këtë herë, ju, në krye të qeverisë, ju bëtë një gjest simbolik politik. Një gjest i tillë simbolik ishte vallë edhe gatishmëria juaj dhe ligji që propozoi qeveria juaj për t’u miratuar më 2016 për importimin e mbetjeve në tokën shqiptare? Edhe sot, një dekadë më vonë, bëjnë kuptim thirrjet e qytetarëve shqiptarë në protestat e asaj kohe”  Mos e bëni Shqipërinë koshin e plehrave”.

Siç më thanë, pasi nuk mund ta dëgjoja deri në fund intervistën e kryeministrit, në vazhdim të asaj interviste ai u ka dhënë mësime të vlefshme Bashkimit Europian dhe disa prej vendeve anëtare të tij. Ndërkohë që ne presim dhe presim dhe presim pas portës së mbyllur të BE-së.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *