PROFILI: Skënder Hitaj, kush është drejtori i ri i Policisë së Shtetit?
Skënder Hitaj është zgjedhur drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Oficeri i karrierës ka jetuar deri në moshën 16 vjeç në Përmet.
Ka kryer studimet në Akademinë e Sigurisë dhe qysh prej vitit 2002 vazhdon pa ndërperje të jetë në role drejtuese në Policinë Shqiptare.
Profili
Drejtori i ri i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, konsiderohet një nga drejtuesit më me përvojë në radhët e bluve. Karriera e tij është ndërtuar në disa prej qarqeve më të rëndësishme të vendit, si dhe në struktura kyçe që lidhen drejtpërdrejt me luftën kundër kriminalitetit dhe garantimin e rendit publik. Gjatë viteve, Hita ka mbajtur një sërë detyrash drejtuese në zona me sfida të theksuara për sigurinë, mes tyre edhe në Shkodër. Përvoja në këtë qark, ku ka shërbyer edhe si zëvendësdrejtor i hetimit të krimit, konsiderohet një nga etapat më të rëndësishme në formimin e profilit të tij profesional. Shkodra ka qenë historikisht një zonë problematike për rendin dhe sigurinë, duke kërkuar koordinim të vazhdueshëm mes strukturave operacionale dhe atyre hetimore.
Një tjetër fazë e rëndësishme në karrierën e tij lidhet me drejtimin e Policisë në Durrës, një nga qarqet më të ndjeshme të vendit për shkak të portit më të madh në Shqipëri, aktivitetit të lartë ekonomik dhe fluksit të madh të lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Drejtimi i policisë në këtë zonë kërkon përvojë të gjerë në menaxhimin e operacioneve kundër kriminalitetit dhe koordinimin e strukturave në terren. Gjatë kësaj periudhe janë zbardhur edhe disa ngjarje të rënda kriminale. Një ndër rastet më të rëndësishme lidhet me zbërthimin e vëllezërve Indrit dhe Gentjan Beqiraj, dëshmia e të cilëve ndihmoi në hedhjen dritë mbi disa ngjarje kriminale në Durrës, Tiranë dhe zona të tjera të vendit.
Në profilin e tij profesional bie në sy edhe fakti se gjatë gjithë karrierës në Policinë e Shtetit, emri i Hitës nuk është përfolur për lidhje me krimin apo grupe kriminale. Ai nuk është përmendur në asnjë rast në kontekst të kultivimit të lëndëve narkotike apo aktiviteteve të tjera të paligjshme, duke ruajtur një profil të pastër dhe një reputacion të qëndrueshëm profesional. Së fundmi, prej rreth 1 viti e gjysmë më drejtimin e Policisë së Fierit, qarku ka njohur nivele të uljes së kriminalitetit.
Akuzat nga Berisha
Sali Berisha sakaq, e konsideron atë si ushtar të Belinda Ballukut.
:Emër problematik dhe shumë shpejt me të gjithë arkivën e qytetarit dixhital do të paraqitem para jush. Skëndër Balluku, u emërua Skënder Balluku. Ky është një pjon i Lubisë së Karakaçi e stërkarakaçi.
Lubizimi nuk është asgjë tjetër veçse Lubizimi i organizatës kriminale. Është thënë një muaj para që Lubia ka përcaktuar drejtor policie, drejtorin e Fierit. Sidoqoftë, shumë shpejt do paraqesim të gjithë materialet për të. Që sot e tutje do ta quani drejtori Balluku. Në fakt Rama është një skallav i mirë i Lubisë dhe për këtë Lubia do hyjë në histori.
Gratë ndonjëherë kanë bërë gjërat më të jashtëzakonshme. Koha provon, se Rama është një skllav i saj, në kuptimin e vjedhjeve. Ka 25 vjet bashkëveprim, bashkëpunim të ngushtë dhe ajo është shumë e kujdesshme për të regjistruar cdo gjë”, tha ai.