21 Maj, 2026

Bledi Mane, letër Arben Çafka-s: Pse nuk e hape gojën për shokun tënd Vasil Gjika, apo për skandalet e tjera në Përmet

 Bledi Mane, letër Arben Çafka-s: Pse nuk e hape gojën për shokun tënd Vasil Gjika, apo për skandalet e tjera në Përmet

Nga Bledi Mane

I dashur Arben, të kemi parë këta dy vitet e fundit që i je qepur ndërtimit te Guri i Qytetit dhe nuk le gjë pa thënë. Në fakt të jap të drejtë se njerëzit që s’lenë gjurmë me punët e tyre iu qepen gjurmëve të punëve të mira të të tjerëve.

Arben, ti ke jetuar 40 vjet në Përmet te pallati mbi bibliotekë dhe sa hapje dritaren nga ana perëndimore shihje Fabrikën e Verës një vend i njohur kombëtarisht me verën e rakinë që prodhonte e ku punonin rreth 100 specialistë e punëtorë.

Fabrikën e privatizoi shoku yt arkitekt Vasil Gjika dhe qysh nga viti 1994 e mbylli, la pa punë dhjetra familje, nuk prodhoi asnjë shishe verë dhe më e keqja e të këqijave e ka rrethuar me një mur të lartë të shëmtur dhe ti Arben arkitekti kritik me nam nuk bëre zë kurrë…

Arben, kur dilje në ballkonin e shtëpisë tënde nga ana lindore e Përmetit shikoje tek rridhte e lirë dhe gurgullonte lumi Vjosë por vitet kaluan dhe juve si pallat ua zunë frymën dhe pamjen 5 objekte të shëmtuara te ura dhe buzë lumit por ti nuk u ndejeve.

Madje para pallatit tuaj u ndërtuan dy godina të tjera që zaptuan edhe lulishtet publike kisha norvegjeze dhe xhamia por ti Arben arkitekti vetëm heshte…

Arben, Përmeti yt u shtua me një lagje të re me emrin Sede ku disa të papërgjegjshëm ndërtuan shtëpitë mbi puseta, kanale e përrenj dhe mbyten çdo vit duke kërkuar ndihmë nga shteti por ti Arben mbylle sytë dhe gojën.

Përgjatë luginës së Vjosës në tokat bujqësore u ndërtuan hotele, mejhane, qebatore, motele të shëmtuara por ti Arben kompetenti nuk bërtite kurrë për masakrat mjedisore dhe arkitekturore ndërsa i je qepur Gurit të Qytetit më keq se Genc opingari apo Tor zdrukthëtari dhe të tre bëni vetëm zhurmë virtuale nga kafenetë e Tiranës apo nga bodrumet e emigracionit…

Arben kompetenti, eja ndonjë ditë në Përmet, bëj ndonjë punë të mirë, ler gjurmë siç lenë qytetarët e përgjegjshëm e kur komuniteti të të vlerësojë fillo bëj edhe kritikun gjithollog. Fajin nuk e ke as ti, as opingari, as zdrukthëtari. Fajin e kanë ata që shpikën rrjetet sociale ku mediokrit shiten si profesorë pa kapur një punë me dorë!

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *