Konsumimi i kroasanëve, bukës dhe disa drithërave rrit rrezikun e kancerit
Një raport i ri i publikuar nga ANSES ka ngritur shqetësime serioze për praninë e një metali të rëndë toksik, kadmiumit, në ushqimet e përditshme që konsumohen nga miliona njerëz. Sipas ekspertëve francezë të shëndetit, produkte të zakonshme si kroasanët, bagetat, drithërat e mëngjesit, makaronat, orizi dhe patatet mund të jenë burime të rëndësishme të ekspozimit ndaj këtij elementi, i cili lidhet me rritjen e rrezikut për kancer.
Raporti paralajmëron se pothuajse gjysma e popullsisë në Francë mund të jetë duke marrë sasi “shqetësuese” të kadmiumit vetëm përmes dietës. Ky metal i rëndë përdoret indirekt në bujqësi përmes plehrave kimikë dhe me kalimin e kohës grumbullohet në tokë, duke hyrë më pas në zinxhirin ushqimor.
Sipas studimit, dieta përbën deri në 98% të ekspozimit ndaj kadmiumit për personat që nuk pinë duhan. Ushqimet më të zakonshme që kontribuojnë në këtë ekspozim janë buka dhe produktet e brumit, ëmbëlsirat, biskotat, drithërat e përpunuara, si dhe ushqime bazë si orizi, makaronat dhe patatet.
Ekspertët paralajmërojnë se kadmiumi është lidhur me disa lloje kanceri, përfshirë atë të pankreasit, fshikëzës urinare, prostatës dhe gjirit. Përveç kësaj, ai mund të shkaktojë edhe probleme të tjera serioze shëndetësore si dëmtim të veshkave, dobësim të kockave dhe sëmundje kardiovaskulare, shkruan VoxNews.
Koordinatorja e ekspertizës në këtë agjenci, Géraldine Carne, theksoi se nëse nuk merren masa, pasojat afatgjata mund të përkeqësohen:
“Nëse nivelet aktuale të ekspozimit vazhdojnë dhe nuk ndërmerren masa, efektet negative afatgjata do të rriten në popullatë.”
Studimi analizoi burime të ndryshme të kadmiumit, përfshirë ajrin, ujin, tokën dhe madje edhe kozmetikën, por arriti në përfundimin se ushqimi është burimi kryesor i ekspozimit. Duhani u identifikua gjithashtu si një faktor shtesë i rëndësishëm.
Alarmi i ngritur në Francë pritet të ndikojë edhe në vende të tjera evropiane, pasi shumë nga këto ushqime janë pjesë e përditshme e dietës, në Europë dhe gjithë botën. Edhe pse nivelet e kadmiumit në Francë rezultojnë më të larta (deri në 3-4 herë më shumë se në Angli), ekspertët theksojnë se rreziku nuk duhet nënvlerësuar askund, pasi ky metal grumbullohet në trup me kalimin e kohës.
Çfarë është kadmiumi
Kadmiumi është një element natyror që gjendet në tokë, ujë dhe ajër. Ai krijon përbërje të ndryshme kimike dhe hyn në zinxhirin ushqimor përmes mjedisit. Burimet kryesore të ekspozimit për njerëzit janë ushqimi dhe tymi i duhanit. Disa ushqime, si drithërat, perimet dhe patatet, përmbajnë më shumë kadmium, ndërsa produkte si mëlçia, veshkat dhe ushqimet e detit kanë nivele më të larta, por konsumohen më rrallë.
Autoritetet shëndetësore nuk rekomandojnë heqjen dorë nga buka apo produktet e tjera të zakonshme, por sugjerojnë një dietë më të larmishme për të shmangur ekspozimin e vazhdueshëm nga të njëjtat burime. Ndër alternativat e rekomanduara përfshihen ushqime si thjerrëzat dhe qiqrat, të cilat kanë nivele më të ulëta të këtij metali.
Ndërkohë, agjencia franceze i ka bërë thirrje qeverisë që të forcojë rregullat për përdorimin e plehrave kimikë, të cilët konsiderohen si një nga burimet kryesore të ndotjes me kadmium në tokat bujqësore. Aktualisht, Franca lejon deri në 90 mg kadmium për kilogram pleh fosfatik, ndërsa në shumë vende të tjera evropiane kufiri është 60 mg.
Megjithëse paralajmërimet janë serioze, ekspertët theksojnë se nuk ka vend për panik: konsumimi i rastësishëm i bukës apo produkteve të ngjashme nuk përbën rrezik të menjëhershëm, por shqetësimi lidhet me ekspozimin afatgjatë dhe të vazhdueshëm.
Kadmiumi është klasifikuar si substancë kancerogjene në Francë që prej vitit 2012, por zbulimet e fundit kanë rikthyer në vëmendje ndikimin e tij të mundshëm në shëndet, veçanërisht përmes ushqimeve të përditshme.