Viktima e përdhunimit në grup, 25 vjeç, vdes nga eutanazia pasi dështon kërkesa ligjore e babait
Noelia Castillo, 25 vjeç, e cila mbeti paraplegjike pas dy sulmesh seksuale dhe vuante nga sëmundje të rënda mendore, i dha fund jetës së saj në mënyrë të asistuar, duke përdorur ligjin për eutanazinë në Spanjë. Historia e saj filloi kur, si adoleshente, ajo u sulmua seksualisht nga ish-i dashuri i saj dhe më tej nga tre djem, gjë që e bëri të tentojë vetëvrasjen.
Në tetor 2022, ajo u hodh nga dritarja e katit të pestë të një ndërtese banimi në përpjekje për t’i dhënë fund jetës, e nxitur nga përdorimi i kokainës, pas një tentative të mëparshme për vetëvrasje përmes mbidozës me ilaçe, sipas të dhënave ligjore.
Prej rënies ajo mbeti paraplegjike, duke humbur funksionin e këmbëve dhe vuante nga dhimbje të rënda, kronike dhe të forta për t’u përballuar, pa mundësi për përmirësim, sipas raporteve mjekësore.
Pas 18 muajsh betejë ligjore për të siguruar të drejtën për eutanazi, ligji spanjoll, i miratuar në vitin 2021, i dha mundësinë t’i jepte fund jetës në mënyrë të asistuar. Përpjekjet e saj për të marrë eutanazi ishin kundërshtuar nga babai i saj dhe një grup i quajtur Christian Lawyers, i cili ka qëndrim shumë konservator. Ata argumentuan se gjendja psikike e Noelia-s do ta bënte të paaftë për të marrë një vendim të informuar për jetën e saj.
Pas pothuajse dy vitesh sfidash ligjore në gjykatat rajonale dhe kombëtare spanjolle, Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut refuzoi kërkesën e babait të saj për të pezulluar eutanazinë. Të enjten në mbrëmje, dëshira e Noelia-s për një vdekje të asistuar u plotësua dhe ajo u nda nga jeta në një qendër mjekësore në qytetin Sant Pere de Ribes, provinca e Barcelonës.
Rasti i saj tërhoqi vëmendjen e publikut dhe nxiti debatet mbi eutanazinë. Sipas të dhënave më të fundit nga ministria e shëndetësisë në Spanjë, 1,123 persona kanë kryer vdekje të asistuar midis qershorit 2021 – kur hyri në fuqi ligji – dhe fundit të vitit 2024.
Ligji lejon çdo person të moshës madhore, që ka një “sëmundje serioze dhe të pashërueshme” ose një gjendje të rëndë, kronike dhe penguese, të aplikojë për eutanazi nëse është “i aftë dhe i vetëdijshëm” kur bën kërkesën. Ligji e përcakton një sëmundje serioze dhe të pashërueshme si atë që “shkakton dhimbje të vazhdueshme dhe të padurueshme fizike ose mendore, pa mundësi lehtësimi që personi e konsideron të pranueshme, me jetëgjatësi të kufizuar, në një kontekst dobësie progresive.”
Kandidati duhet të paraqesë dy kërkesa me shkrim dhe të konsultohet me profesionistë mjekësorë që nuk janë përfshirë më parë në rast, para se një komitet rajonal ekspertësh të aprovojë kërkesën. Ligji lejon dy mënyra për t’i dhënë fund jetës: administrimin direkt të një substance vdekjeprurëse nga një profesionist i autorizuar shëndetësor, ose dhënien e recetës/substancës te pacienti që dëshiron ta përdorë vetë.
Në një intervistë televizive disa ditë para se të vdiste, Noelia, e cila ishte trajtuar psikikisht që nga mosha 13 vjeç dhe kishte tentuar të vetëvritej disa herë, mbrojti vendimin e saj: “Thjesht dua të shkoj paqësisht tani dhe të ndaloj vuajtjen,” tha ajo për Antena 3.
“Kjo është e gjitha… nuk dua të bëj asgjë tjetër. Nuk dua të dal, nuk dua të ha, nuk dua të bëj asgjë.”
Ajo shtoi se gjithmonë ndihej e vetmuar sepse nuk ishte kuptuar nga të tjerët. “Kam arritur të kujdesem për veten, të bëj dush dhe të vendos make-up-in vetë… më në fund ia dola,” tha ajo.
“Tani dua të pushoj sepse nuk mund të vazhdoj më me këtë familje, me dhimbjen dhe gjithë gjërat që më torturojnë mendjen.”
Noelia theksoi se vendimin e kishte marrë vetëm për vete dhe nuk dëshironte të shihej si shembull për askënd.\
“Nuk dua që dikush të ndjekë hapat e mi. Nuk dua që njerëzit të pyesin se si funksionon procesi sepse duan të dinë për eutanazinë. Jeta ime është jeta ime dhe kjo është e gjitha.”
Grupi Christian Lawyers mbajti një konferencë për shtyp jashtë spitalit ku ajo vdiq për të ripërsëritur kundërshtimin e tyre ndaj ligjit të eutanazisë dhe për t’u lutur për shpirtin e saj dhe familjen.
“Rasti i Noelias ka lëvizur botën,” thanë ata. “Ligji i eutanazisë duhet të anulohet. Çdo jetë duhet të mbrohet, jo të braktiset.”