Salianj-Berishës: Unë kam bërë burg për PD-në. Pse ka frikë të përballesh me mua?
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të partisë, Sali Berisha, i cili pretendoi se Salianji ishte “vetëpërjashtuar” nga PD.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji mohoi kategorikisht çdo vetëpërjashtim dhe theksoi se ka qenë gjithmonë pjesë aktive e Partisë Demokratike, me kontribut dhe sakrifica që përfshijnë edhe përballje me drejtësinë.
“Unë nuk jam vetëpërjashtuar nga askund. Përkundrazi, kam qenë dhe jam pjesë e Partisë Demokratike, me kontribut, sakrifica deri në burg politik, me përballje reale dhe fitore për demokratët”, shkruan Salianji, duke ngritur më tej pikëpyetje sa përket transparencës së zgjedhjeve brenda kampit blu dhe “frikën” që lideri i të djathtëve ka.
Deklarata e Salianjit vjen pas një konference për shtyp ku Berisha komentoi pozicionimin e deputetes Jorida Tabaku, e cila sugjeroi kandidimin e Salianjit për kryetar të PD-së. Në këtë rast, Berisha shmangu përgjigjet direkte për Tabakun dhe sulmoi sërish Salianjin, duke e cilësuar të “pa denjë” për forcën politike dhe lidhjet e tij me eksponentë të krimit.
Reagimi i plotë i Salianjit:
Kush ka lidhje dhe me kë do kemi kohë e do i qartesojmë, por pyetjet mbeten; a do të ketë garë të hapur? A do të ketë votë të lirë për demokratët? Si do fitojë Partia Demokratike? Kur?
A mbahet përgjegjesi për rezultatet dhe premtimet?
A mundet një kandidat të përjashtojë kandidatin tjetër?
Se në mungesë të garës, shpiken romane me “vetëpërjashtime”.
Unë nuk jam vetëpërjashtuar nga askund. Përkundrazi, kam qenë dhe jam pjesë e Partisë Demokratike, me kontribut, sakrifica deri në burg politik, me përballje reale dhe fitore për demokratët!
Problemi nuk është kush “përjashtohet”, por pse nuk lejohet gara, se Sali Berisha apo kushdo tjetër mund të thotë çfarë të dojë për mua, por nuk mund të shmangë pyetjen kryesore: pse i trembet garës?
Unë kërkoj vetëm një gjë: rregulla dhe votë, këtë kërkojnë demokratët, shoqëria dhe partnerët!
Pjesa tjetër është propagandë për të mbuluar frikën.