“Jemi më të mirët në Europë” – Si nxorrën bllof Edi Ramën, iranianët
Orgen Peci
Pas hakerimit të faqes së Kuvendit të Shqipërisë, grupi i “Homeland Justice” ka deklaruar se ka sulmuar edhe sistemet e Postës Shqiptare. Në një reagim të shpërndarë në “Telegram”, ky grup pretendon se ka arritur të depërtojë në infrastrukturën e institucionit, duke deklaruar se disponon të gjitha të dhënat.
Ata e lidhin këtë sulm me akuza ndaj Postës Shqiptare për bashkëpunim me organizatën e Muxhahedinët e Popullit të Iranit, e njohur për praninë e saj në kampin Ashraf 3.
“Homeland Justice” akuzon zyrtarët e institucionit për korrupsion dhe përfshirje në veprimtari që, sipas tyre, cenojnë sigurinë. Grupi paralajmëron gjithashtu për sulme të tjera në të ardhmen.
“Ne kemi një kapacitet mbrojtës kibernetik, një nga më të mirët në Europë. Për këtë ne ftohemi dhe respektohemi në mjediset europiane të NATO” – deklaroi disa ditë më parë kryeministri Rama.
Por hakerimi i Postës Shqiptare pak ditë pasi u godit Kuvendi dëshmon se fjalimet publike janë larg realitetit.
Problem është se Posta Shqiptare nuk merret vetëm me letra dhe pako. Ajo shërben si një nyje qendrore për shpërndarjen e pensioneve,
pagesat e faturave energji, ujë, transfertat monetare, etj. Hakerimi i këtyre të dhënave mund të ekspozojë informacione sensitive si numrat e llogarive, identitetet e qytetarëve, por edhe historikun e transaksioneve.
Sulmet e fundit tregojnë se ky grup, i cili shpesh lidhet me interesat iraniane nuk synon thjesht vjedhjen e të dhënave, por destabilizimin e besimit publik.
Për ne si qytetarë përsëritja e këtyre sulmeve ngre pyetje serioze: Pse nuk janë forcuar barrierat mbrojtëse pas sulmeve të vitit 2022? Sa investohet realisht në mirëmbajtjen e sistemeve përballë hakerave që kanë burime të pakufizuara? Apo vidhet edhe aty?
Është ironike dhe e trishtë të themi se po digjitalizojmë shërbimet, kur siguria e këtyre shërbimeve ecën me hapa shumë më të ngadaltë.
Meqë jemi këtu, kini parasysh që nëse
keni llogari apo kryeni transaksione të rregullta përmes Postës, tregoni kujdes të shtuar me mesazhet (SMS) apo e-mail-et që mund t’ju vijnë ditët në vijim. Mund të jenë tentativa për “phishing” duke përdorur të dhënat e vjedhura.
Të na rrojnë hartimet e bukura politike për të tjerat.