Rrëfehen të mbijetuarat e Jeffrey Epstein: I pëlqente frika në sytë tanë
Të mbijetuarat e abuzimeve seksuale nga Jeffrey Epstein kanë ndarë për herë të parë historitë e tyre në një intervistë të gjatë për emisionin BBC Newsnight, duke përshkruar përvoja të mbushura me frikë, turp dhe zemërim.
Joanna Harrison tha se nuk kishte dashur kurrë të fliste publikisht për abuzimet, por u detyrua pasi emri i saj u publikua në dokumentet e bëra publike nga autoritetet amerikane.
“Arrin një moment kur ndihesh e mbytur dhe ke nevojë të marrësh frymë”, u shpreh ajo.
Në një takim të organizuar nga BBC, Harrison dhe katër të mbijetuara të tjera ndanë rrëfimet e tyre për abuzimet, duke përfshirë përvojat në ishullin privat të Epstein, Little St James, si dhe në fermën e tij në New Mexico, të cilën e përshkruan si një vend “të frikshëm dhe të errët”.
Ato shprehën bindjen se figura të fuqishme me të cilat Epstein shoqërohej mund të kenë qenë në dijeni të asaj që ndodhte.
Në rrëfimet e tyre përmenden edhe emra si Bill Clinton dhe Kevin Spacey, të cilët kanë qenë në disa udhëtime me Epstein, megjithëse nuk ka prova që i lidhin me abuzimet.
Një tjetër e mbijetuar, Chauntae Davies, tregoi se ishte përdhunuar në ishullin privat të Epstein dhe ndau foto të padukura më parë nga udhëtimet me avionin e tij privat.
Ajo rrëfeu gjithashtu se kishte kryer një masazh për ish-presidentin Clinton gjatë një ndalese në Portugali.
Ndërkohë, Lisa Phillips deklaroi se Epstein “pëlqente frikën në sytë tanë”, duke shtuar se ai ndiente kënaqësi nga fakti që viktimat ndiheshin të ngrira dhe të pafuqishme.
Të mbijetuarat ngritën gjithashtu dyshime mbi vdekjen e Epstein në vitin 2019 në burg në New York, duke thënë se nuk besojnë se ai ka kryer vetëvrasje, pavarësisht konkluzionit zyrtar të autoriteteve.
Ato theksuan se përvojat e tyre kanë lënë pasoja të thella psikologjike. “Nuk buzëqesh më si dikur”, tha Harrison, ndërsa shikonte një foto të vetes në moshën 18-vjeçare, para se të përballej me abuzimet.
Rrëfimet e tyre vijnë në një kohë kur hetimet dhe dokumentet mbi rastin Epstein vazhdojnë të ngjallin debat dhe interes të madh publik në SHBA dhe më gjerë.