Hungaria ka spiunuar Evropën te Rusia
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, dyshohet se ka informuar rregullisht Rusinë mbi diskutimet e brendshme të Bashkimit Evropian, sipas një raportimi të The Washington Post, që citon burime të sigurisë evropiane.
Sipas raportit, Szijjártó ka zhvilluar telefonata të shpeshta me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, ndërmjet takimeve të Këshillit të BE-së, duke i përcjellë informacion në kohë reale mbi diskutimet dhe opsionet e mundshme të politikave.
Një zyrtar evropian, i paidentifikuar, është shprehur se përmes këtyre kontakteve “çdo takim i BE-së për vite me radhë ka pasur në thelb Moskën në tavolinë”.
Raporti thekson gjithashtu se Qeveria e kryeministrit Viktor Orbán ka ofruar prej kohësh një dritare të rëndësishme për Rusinë në çështjet e ndjeshme të BE-së, si përmes zyrtarëve të saj, ashtu edhe përmes depërtimit të hakerëve rusë në rrjetet e Ministrisë së Jashtme hungareze. Këto pretendime mbështeten nga disa zyrtarë aktualë dhe të mëparshëm evropianë, përfshirë ish-drejtues të sigurisë kibernetike në Hungari.
Zbulimet kanë shkaktuar reagime të forta politike në vend. Kreu i opozitës së partisë Tisza, Péter Magyar, e ka quajtur Szijjártón “tradhtar”, duke e akuzuar se ka tradhtuar jo vetëm Hungarinë, por edhe Evropën, përmes raportimit të vazhdueshëm të zhvillimeve të brendshme të BE-së tek Moska.
Ndërkohë, sipas të njëjtit raportim, shërbimet sekrete ruse dyshohet se kanë propozuar edhe skenarë për një atentat të inskenuar ndaj Orbán, me qëllim rritjen e mbështetjes publike për qeverinë e tij në një moment kur popullariteti i partisë në pushtet është në rënie.
Zgjedhjet parlamentare në Hungari pritet të mbahen më 12 prill, ndërsa sondazhet e fundit tregojnë një avantazh të opozitës. Në këtë kontekst, presidenti amerikan Donald Trump ka shprehur sërish mbështetjen e tij për Orbán, duke deklaruar se shpreson që ai të fitojë bindshëm.