28 Mars, 2026

Gazetari denoncon skandalin tek Onkologjiku: Pacientëve iu është shtyrë kimioterapia për shkak të pushimeve

 Gazetari denoncon skandalin tek Onkologjiku: Pacientëve iu është shtyrë kimioterapia për shkak të pushimeve

Gazetari Osman Stafa ka denoncuar skandalin në Spitalin e Onkologjikut, ku sipas tij, pacientët me kancer, janë paraqitur për të marrë kimioterapi, por dyert e këtij spitali kanë qenë të mbyllura për shkak të pushimeve.

Në një postim në Facebook, Stafa shkruan se pacientët nuk janë lajmëruar dhe se një sistem normal shëndetësor nuk i lë pacientët pa shërbim dhe pa informacion.

“Kimioterapia nuk është një procedurë që shtyhet sipas komoditetit të sistemit apo pushimeve zyrtare. Ajo ndiqet sipas protokolleve të përcaktuara, me intervale të sakta, sepse çdo vonesë mund të ndikojë në trajtimin e pacientit”, thekson Stafa në postimin e tij.

Po ashtu gazetari shton në postimin e tij se kjo praktikë është e papranueshme.

Postimi plotë:

Çfarë ndodh sot me pacientët e Onkologjikut?

Pacienti paraqitet në spital për të kryer kimioterapinë sipas datës së përcaktuar dhe gjen derën e spitalit të mbyllur.

Kimioterapia nuk është një procedurë që shtyhet sipas komoditetit të sistemit apo pushimeve zyrtare. Ajo ndiqet sipas protokolleve të përcaktuara, me intervale të sakta, sepse çdo vonesë mund të ndikojë në trajtimin e pacientit.

Po, stafi ka të drejtë për pushim.

Por një sistem normal shëndetësor nuk i lë pacientët pa shërbim dhe pa informacion. E premtja e javës së shkuar pushim, e shtuna dhe e diela pushim, e hëna sot po ashtu. Pra një pacient që duhet ta bënte kimion të premten, ka humbur sot 4 ditë. A e ka pushim kanceri këto 4 ditë?

Në vendet ku sistemi funksionon, edhe kur ka ditë pushimi, shërbimet jetike organizohen me personel të reduktuar, por nuk ndërpriten dhe mbi të gjitha, pacienti njoftohet, nuk lihet të vijë kot.

Këtu ndodh e kundërta:

Pacienti nuk njoftohet kur shërbimi nuk funksionon, por njoftohet vetëm kur mungojnë ilaçet. Kjo praktikë është e papranueshme.

Jo vetëm si shërbim shëndetësor, por si trajtim njerëzor.

Sepse në fund të ditës, nuk po flasim për një radhë të zakonshme. Po flasim për njerëz që luftojnë për jetën e tyre. Dhe kjo është një luftë që nuk njeh pushim.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *