28 Mars, 2026

Fund gjobave të papaguara, bllokohet çdo shërbim pa shlyer detyrimet

 Fund gjobave të papaguara, bllokohet çdo shërbim pa shlyer detyrimet

Drejtuesit e mjeteve që deri më sot kanë neglizhuar pagesën e gjobave rrugore do të përballen me një sistem të ri shtrëngues. Qeveria ka miratuar krijimin e “Regjistrit për Ekzekutimin dhe Vjeljen e Gjobave”, i cili vendos në një rrjet të përbashkët Policinë e Shtetit, DPSHTRR-në dhe sistemin e taksave. Risia kryesore e këtij vendimi është se Sistemi Elektronik i Gjobave të Policisë nuk do të jetë më i izoluar.

Për çdo gjobë të vendosur nga efektivët në rrugë, sistemi do të tërheqë automatikishttë dhënat teknike të mjetit, numrin e shasisë dhe historikun e pronësisë, adresën e saktë të vendbanimit të shoferit për njoftim zyrtar, mundësinë e pagesës së menjëhershme, duke eliminuar vonesat administrative.

Ky sistem nuk do të jetë thjesht një listë emrash, por një platformë inteligjente që do të ndërveprojë në kohë reale me pothuajse çdo bazë të dhënash shtetërore, duke e bërë të pamundur shmangien e pagesës së masave administrative.

Skanimi total, nga patenta te NIPT-i

Risia e këtij regjistri është ndërlidhja me sistemet e tjera. Për çdo gjobë të vendosur, sistemi do të gjenerojë një numër unik identifikimi dhe do të tërheqë automatikisht informacionet dytësore nga Policia e Shtetit, për të dhënat e shkeljeve rrugore, orën, vendin dhe masat plotësuese si heqja e pikëve apo patentës; DPSHTRR për të dhënat teknike të mjetit, numrin e shasisë dhe lejen e qarkullimit; Gjendja Civile dhe Tatimet për të identifikuar saktë vendbanimin e individit apo NIPT-in e biznesit; e-Inspektimi për gjobat e vendosura nga të gjithë inspektoratet shtetërore (punës, mjedisit, ushqimit etj.).

Pagesat vetëm Online dhe e-Albania

Vendimi i ri saktëson se epoka e mandateve të shpërndara ka përfunduar. Të gjitha gjobat do të pasqyrohen në portalin e-Albania, ku qytetarët dhe subjektet mund t’i paguajnë ato on-line përmes platformës së dedikuar të pagesave elektronike. Ky proces synon të rrisë transparencën dhe të shmangë abuzimet me fshirjen e mundshme të gjobave nga arkivat manuale.

Gjurmueshmëria dhe nivelet e aksesit

Për të garantuar mbrojtjen e të dhënave personale, sistemi do të funksionojë me katër nivele aksesi: lexues, institucion shtetëror, administrator dhe auditues. Çdo hyrje apo modifikim në sistem do të jetë i gjurmueshëm, duke krijuar një historik të qartë se kush ka parë apo prekur dosjen e një qytetari.

Ky regjistër do të përdoret gjithashtu për analiza dhe vlerësime të performancës së institucioneve gjobëvënëse, duke identifikuar zonat apo subjektet me shkeljet më të shpeshta.

Zbatimi i menjëhershëm

Ngarkohen Inspektorati i Përgjithshëm dhe AKSHI për vënien në punë të këtij sistemi, i cili do të përfshijë çdo institucion shtetëror që ka të drejtën e vendosjes së masave administrative. Vendimi paralajmëron një rritje të forcës shtrënguese për vjeljen e të ardhurave nga gjobat, të cilat shpesh kanë mbetur të papaguara për vite me radhë.

Çfarë ndodh nëse nuk paguani?

Me këtë ndërlidhje të re, mos-pagesa e një gjobë të Policisë mund të bëhet pengesë automatike për shërbime në Tatime apo në Kadastër, pasi sistemet tani “shohin” njëri-tjetrin përmes numrit unik të gjobës.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *