28 Mars, 2026

Frika nga SHBA: Danimarka përgatiti skenar lufte për Groenlandën

 Frika nga SHBA: Danimarka përgatiti skenar lufte për Groenlandën

Danimarka u përgatit për një skenar ekstrem përballjeje me Shtetet e Bashkuara, duke dërguar në Groenlandë eksplozivë për të shkatërruar pista aeroportesh dhe furnizime me gjak për trajtimin e të plagosurve, në rast të një konflikti të mundshëm.

Sipas një raportimi të transmetuesit danez DR, që citon burime të larta qeveritare, ushtarake dhe inteligjence nga disa vende evropiane, këto masa u morën në fillim të vitit 2026, kur u rrit frika se SHBA mund të tentonte të merrte kontrollin e Groenlandës me forcë.

Plani parashikonte që në rast ndërhyrjeje, pistat në Nuuk dhe Kangerlussuaq të shkatërroheshin për të penguar uljen e avionëve ushtarakë amerikanë. Në të njëjtën kohë, në ishull u dërguan edhe rezerva gjaku nga bankat daneze, si pjesë e përgatitjeve për një përballje të mundshme.

Edhe pse nuk kishte informacione konkrete për plane sulmi nga SHBA, burimet tregojnë se situata u konsiderua serioze, sidomos pas deklaratave të përsëritura të Presidentit Donald Trump për marrjen e Groenlandës dhe zhvillimeve ndërkombëtare që rritën pasigurinë.

Një moment kyç ishte fillimi i janarit 2026, kur SHBA ndërmori një operacion ushtarak në Venezuelë. Sipas burimeve, kjo ngjarje ndryshoi perceptimin e kërcënimit dhe detyroi Danimarkën të merrte në konsideratë të gjitha skenarët.

Në përgjigje, Kopenhaga kërkoi mbështetje nga aleatët evropianë, duke ndërtuar një front të përbashkët me vende si Franca dhe Gjermania. Trupa nga disa shtete u dërguan në Groenlandë, së bashku me avionë luftarakë dhe mjete detare, për të rritur praninë ushtarake në rajon.

Qëllimi, sipas burimeve, ishte i qartë: të rritej kostoja e çdo ndërhyrjeje të mundshme amerikane dhe të krijohej një pengesë politike dhe ushtarake për një skenar të tillë.

Operacioni u paraqit publikisht si një stërvitje ushtarake, por sipas burimeve nuk ishte thjesht një ushtrim, por përgatitje reale për një konflikt të mundshëm.

Situata u qetësua më 21 janar, kur Donald Trump deklaroi se SHBA nuk do të përdorte forcën ushtarake për të marrë Groenlandën. Megjithatë, sipas burimeve, kriza nuk konsiderohet e mbyllur dhe tensionet mund të rikthehen.

Leave a Reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *